Të flasim pak për Mozzikun: Ka kohë që ka mbetur pa identitet artistik, 'bespreme' është thjesht ofenduese
Kënga e fundit e Mozzikut ka disa ditë që është publiku, dhe është thjesht vazhdimësi e një anemie artistike e cementuar në rrafshin e gjërë të estradës - ferizajasi është një tjetër me potencial që ia ktheu shpinën gjithçkaje domethënëse, në këmbim të klikave të përkohshëm në YouTube e ftesave për performancë nëpër klube nate.
Gramoz Aliu a.k.a Mozzik dikur tërhoqi vëmendje për një mënyrë të veçantë interpretuese të rreshtave e teksteve goxha të padëgjuara për kohën kur ishte futur në skenë.
Hidhni një sy, e pak më shumë vesh, "IK" të vitit 2014, kur realisht ferizajasi të mbante të interesuar për 4 minuta e 2 sekonda për të dëgjuar më shumë nga ato që kishte për të thënë.
Shërbehuni sa të mundeni me të dhe ca të tjera të ngjashme nga vitet e 2010-a, pasi janë të fundit që kemi dëgjuar prej tij të këtij lloji. Kurrë më nuk ka treguar uri të tillë në projekte, duke ulur gradualisht nivelin e matierialeve të ofruara, deri në humbjen e krejtësishme të identitetit nga reperi i njëmendtë që ishte dikur.
Sot, Mozzikun e shohim dhe dëgjojmë me këngë si "bespreme" e "pare", që janë të krijuara gati me algoritma si material për mjelje brenda një sezoni, për t'u zhdukur nga radari pak javë më vonë.
Nonshalancë monumentale artistike te 'bespreme'
A thu, a t'ka marrë malli njësoj ty për mu
A thu a mujmë na dy m'u përmirësu
As vet s'e di për çka jena idhnu
Kurrë s'u nala t'u insistuuuuuu
Me këta rreshta hapet 'bespreme'. Vetëm analizoni modelin e mënyrës së rimimit. Pas çdo fjale, theksi bie te shkronja u, duke përdorur variantën rimim-rimim-rimim pas secilës fjali, sikur kjo duhet ta bëjë më impresive mungesën substanciale të përmbajtjes, pavarësisht se flitet për një segment tejet delikat siç është dashuria, e cila mund të të dërgojë në ekstreme kreativiteti nga më të ndryshmet.
Një që është për t'u marrë si shembull që i trajton në mënyrë brilante temat e dashurisë - Mc Kresha. Njeriu realisht mundohet dhe punon/investon energji e shkrirje të mendësisë, para se të vendos të publikojë diçka.
Është e vështirë të kuptohet protokolli dhe etika e punës së reperëve si Mozzik, i cili duket se pak energji shpenzon në procesin e të shkruarit dhe realisht mundit të investuar në diçka nga e cila, tek e fundit, varet mirëqenia e tij.
E kam të qartë se duhet të ketë një kufij edhe të nivelit të pritshmërive, por mungesa e etikës së punës për këngë e albume të tëra, dhe njëkohësisht vazhdimësia e të ardhurave të majme pa ndonjë pasojë financiare, është goxha e frikshme dhe e pakuptueshme për mua si klasë punëtore, nga i cili pritet performancë e vazhdueshme profesionale.
Me pak fjalë, kthyerja e shpinës ndaj punës që ju ushqen, është shkelje e kafshatës dhe përdhosje e dinjitetit të dëgjuesve.
Bespreme, ma more zemrën e s'ma ktheve
Bespreme, ma more zemrën e ma theve
Bespreme, për këtë punë ti je e leme
Bespreme, Bespreme
Bespreme, preme, preme
Unë ta dhashë e ti s'ma ktheve
Unë ta dhashë e ti ma theve
Ky është refreni tutje i këngës në fjalë, e ku vazhdohet të nënvizohet vullneti i ulët për të bërë më shumë e për ta sfiduar veten përtej zonës së rehatisë luksoze, ku duhet të ndërveprojë Mozzik.
Fjalët e fundit me të cilat rimohet janë "ktheve, theve, leme, preme, preme, ktheve, theve"... njëmend, njeriu thjesht mund të ketë zero dashuri për llojin e muzikës që e bën, arsyetim tjetër nuk mund të gjendet për këtë nonshalancë e mungesë respekti ndaj profesionit.
U ta hangsha piiiiii... kën në buzë - lalalala
E ato dyja që i mbanë nër bluzë - lalalala
Haha, ti ki qejf me m'pa t'u vujtë
E për inati tem shkon ia jep ti gjithkujt
Je t'u lujtë, je t'u vujtë se s'je t'u mujtë
Se s'je t'u m'gjetë kurrkund që me mujt me m'shkrujtë
Sikur ato që i thashë të mos mjaftonin, Mozzik veç sa përforcon teorinë e harxhimit e kotjes artistike, duke përsëritur vargjet "u ta hangsha piiii", të cilat tash veç i kishim dëgjuar nga ai te "Madonna", këngë e cila mori përmasa virale vetëm për shkak të atyre fjalëve.
Në mungesë të intuitës e instiktit - që derivon nga dashuria ose mos dashuria ndaj asaj që bëni - për të ardhur me diçka të re, ai kthehet për të kërkuar mbështetje nga një rresht i cili edhe ashtu e ka dhënë më të mirën nga vetja herën e parë.
Tutje, në vazhdimin e rreshtave të mësipërm, qartazi tentohet mbajtja e vetes në jetë duke u varur mbi një dramë të së kaluarës së reperit me Loredanën, e nga e cila pretendohet të vazhdojë mjelja apo mbajtja e vetes relevant, në mungesë të tematikave tjera për t'i trajtuar artistikisht.
Tutje, vazhdohet me narracion të njejtë kundër përmbajtjes e thënies së diçkaje të mençur, duke u konkluduar si një tjetër këngë për të cilën askush nuk do të flasë pas kësaj vereje.
Është gati e gërditshme me çfarë zori e zellshmërie punohet gjatë verës nga estrada në këngë të tilla, të cllat zhduken për çështje ditësh në një horizont të ngjeshur të materialeve pa kontroll që publikohen vazhdimisht brenda tre muajve vere.
Pas këtyre 3-4 muajve mjelje, shumica prej artistëve 'zhduken', sigurisht duke shijuar të mirat që kanë ardhur si rezultat i punës ngulmuese për të dhënë gjithçka brenda një vereje, sikur inspirimi për krijim iu vjen si dhuratë nga lartmadhëria veç brenda 90 ditëve.
Harroni kompetitivitetin, apo kunjat paksa më të sertë të ndonjë reperi... Zot mos e bëj, tash të gjitha i kryejnë në prapaskena. Mbajnë inate, xhelozi e mëri ndaj njëri-tjetrit veç prapa perdeve, nëpër këngë shfaqen të obsesionuar ndaj vargjeve "bespreme, ma more zemrën e s'ma ktheve".
Të largëta e të harruara janë ditët kur Mozziku realisht shprehte uri për të treguar pse është më i mirë se të tjerët, me tekste e materiale njëmend të menduara e të munduara.
Por, Mozzik është vetëm një prej një grumbulli reperësh që e nisën krejt ndryshe nga ajo si përfunduan sot. Gjiko, Ledri Vula, Lumi B e Majk, janë ca të tjerë që ia kanë kthyer shpinën identitetit artistik për t'u shndërruar në një "plan të zbraztë".
Po të bije në koma menjëherë pasi Mozzik publikoi "herkules" e të zgjohesh menjëherë pas 'bespreme', vështirë se do të mund ta identifikoje si të njëjtin person.
Është shumë e qartë se me rritjen e artistit, edhe qasja e tyre ndaj veprave artistike ndryshon. Sidoqoftë, pjekuria vetëm sa e ngriti nivelin edukativ të artistit, i cili ka përgjegjësi ekstra mbi supe për çdo vit që kalon - të vëjë shembull për artistët e rinj, e të gjejë mënyra të reja adaptuese për të dhënë leksione suksesi – mendjengushtësia e inferioriteti të shndërrojnë në diçka për të cilin shumë pak kanë respekt. Pyesni Jay Z-në...
Tendenca për të sakrifikuar respektin e kredibilitetin artistik për një formë këmbimi si paraja, është katalizator dekadence e vdekjeje artistike deri në atë pikë sa fansat e njëmendtë të hip-hopit - ata në përkrahjen e të cilëve të gjithë të lartpërmendurit llogaritën e varën shpresën për suksese në të ardhmen – ndjejnë gërrdi e zhgënjim monumental për faktin se dikur kishin qenë të bindur se e ardhmja e subzhanrit që derivon nga kultura e rrugës, është në duar të sigurta.

