BimBimma kall AniBARIN: Qe qysh iu përgjigj pyetjeve 'me spec' të Nacionales
BimBimma performoi të shtunën mbrëma në Anibar dhe u desh ta ‘konfrontoja’ në prapaskenë, pasi nuk po pajtohesha me shumë gjëra që po thuheshin e po bëheshin nga ai në platformën që i ishte vënë në dispozicion në festival.
Në festivalin e animacionit në Pejë, Anibar, po shfaqen filma me bollëk - kur them me bollëk e mendoj me plot kuptimin e fjalës, natë e ditë në plot kinema. Pra, filma jo veç "me hongër lopët", por edhe një kope delesh bashkë me to mund të "ngihen" pa pikë problemi.

Sikur numri i jashtëzakonshëm i filmave që shfaqen të mos mjaftonte, për çdo natë, me fillim nga ora 00:00, organizohet edhe një ndejë që po e quajnë "bestytndeja", për shkak të tematikës së festivalit për këtë edicion që janë bestytnitë.
Artistë të ndryshëm po performojnë në një skenë dinjitoze te Kino Liqeni,me Blla Blla Blla, Sahatin e DJ Eptami që kanë qenë pak më impresiv, sidomos me këtë të fundit që nuk lashë atom energjie pa shterur duke kërcyer, teksa më zhgënjyesja ishte një DJ nga Ukraina me emrin NFNR, muzika eksperimentale e të cilës më la me shumë arsye për t'u fikur, teksa llojlloj mendimesh nga më të këqijat më silleshin në kokë, në performancë e sipër.

E dini, kur muzika dështon mjerisht t'iu rrëmbejë dhe tash e gjeni veten të futur në skena imagjinare nga më të ndryshmet, që më së shumti shërbejnë për rritjen e nivelit të ankthit...
Sidoqoftë, për të shtunën mbrëma ishte paralajmëruar performanca e Bim Bimmës, reperit të ri me emrin Jolle dhe një farë Dj Pamonit.
Çka tha e bëri BimBimma gjatë performancës?
Rreth orës 00:18, ishte koha për Bimin, i cili ndejën e nisi me: "shqipetnalt", klipi i të cilit përfshin shqiptarë të njohur e jo fort të njohur nga e gjitha bota duke bërë shqiponjën me duar e duke e ngritur lart.
Hmm... asnjëherë nuk kam qenë tip i njeriut që jam rrëmbyer në rrymën e patriotizmit ku përfshihet bërja e shqiponjës me duar në Nju Jork apo "Wimbledon", sikur është diçka nënvizuese për nga rëndësia, por hej... kush jam unë të gjykoj, apo jo?
Epo, nëse pajtoheni se unë nuk jam askush të gjykoj, bëni mirë të largoheni nga ky artikull tash, pasi gjërat më poshtë shkojnë duke u bërë edhe më pezmatuese.

Tutje, pasuan këngë si 'Axha Bastard' e '1 milion', me reperin që performonte live, përveç refreneve që lëshoheshin me CD.
Pas Mc Kreshës e Lyrical Sonit të cilët i kisha parë së fundmi duke performuar live në Zone, tash edhe ky po i jepte hakun audiencës, duke i sfiduar mushkëritë me këngë si 'Sensimilia'...
Uh njëmend, te ajo pjesë në këngë kur thotë "A s'e morët vesh boll Festimin (Lyrical Son) deri parzit, tash po duhët me ardhë edhe unë me nxerr bishën prej kafazit", tash e kishte ndryshuar emrin, në vend të Festimit e përdori një tjetër kush e di të kujt, e që - natyrisht - kishte logjikë pasi ky ka kohë që i ka ndarë 'dhentë e dhitë' me PINT-at, madje duke i hedhur kunja këtyre të fundit në plot raste, e edha këta njëjtë ia kthenin kur pyeteshin.
Shënim: BimBimma më kontaktoi pas publikimit të këtij artikulli dhe tha se në vend të emrit "Festim" kishte përdorur nofkën e këtij të fundit "Kifën", e që është "qysh e thirrim në mëhallë".
Në mes këngëve, Bimi ndalonte dhe në çdo mundësi të mundshme përdhoste mbi estradën 'materialiste'.
Me fjalë si "ritëm kem po poezi jo" dhe "reperi osht reporter, e kallëzon gjendjen e realitetit ku jeton. Realiteti jonë nuk është femna, kerre, xhakuzi", prishtinasi në Pejë po mundohej të përcillte mesazhe direkte për një shumicë të estradës që është e fiksuar t'i bëjë pikërisht këto që Bimi thoshte se nuk duhet bërë.
Gjithashtu, e gjeta tejet problematike shprehjen e tij kur thotë para një audience goxha dinjitoze për nga numri, "me konë reper e mos me majtë burg, s'je reper".
Epo, nuk mund ta nënvizojë sa duhet me fjalë për të thënë sa shumë nuk pajtohem me këtë narracion.
Sidoqoftë, përkundër se kam qenë zë kritik i vazhdueshëm ndaj estradës pa ide e me këngë të tmerrshme, absolutisht nuk e kuptoja tërë atë obsesion të Bimit për të denigruar artin e flexit (fryrjes) ku përfshihen "veturat e shtrenjta, xhakuzit, e akullat (zinxhirët) në qafë" në secilën mundësi të mundshme.
Për më tepër, ai ka qenë figurë e zëshme revoltuese ndaj pushteteve të kaluara qeveritare, por deri tash kishte qenë i heshtur për pushtetin aktual, që po akuzohet nga një pjesë e shoqërisë civile po ashtu për skandale, punësime familjare e kështu me radhë.
Erdhi koha ta 'konfrontoja'
Pasi paraprakisht, i isha ofruar në prapaskenë për t'i thënë "a i ki dy minuta një intervistë për gazetën Nacionale me dhonë", e për të marrë përgjigjen "jo, niherë, pa e kry (performancën) jo", prita e prita se kisha kohë me bollëk.
Në fakt, e kisha krejt kohën e botës në dispozicion. Kisha ardhë për atë qëllim në Pejë dhe nuk do të kishte rëndësi edhe nëse ai do të performonte edhe për plot 12 orë, prapë do të më gjente aty pasi ta përfundonte.
Me të përfunduar ndeja, i shkova prap, "Bim, intervistën", i thashë "hajde mas meje" tha, por që po zhagitej gjithçka nga një grumbull i fansave që nuk po rreshtnin së kërkuari foto me të.

Pas pak minutash, e gjeta veten të ulur me të dhe të gatshëm për t'i bërë pyetje të shpejta.
"Anibari e ka gjithë energjinë e njejtë. Osht i vetmi festival që mahët, nuk qet poster edhe i vijnë 3 mijë veta", u shpreh ai fillimisht, deklaratë me të cilën po pajtohesha absolutisht pas asaj që kisha parë për ditë të tëra.
"Sa osht e rëndësishme me performu live për ty, tu e marrë parasysh që shumica e estradës preferojnë 'playback-un'?" e pyeta tutje.
"Për mu, performancë quhet edhe kur je prezent me trup, edhe me zo. Në qoftëse je veç prezent me trup, e cd-ja t'i knon kongët, nuk osht performancë, osht paraqitje", u përgjigj zoti Bim, i cili më herët kishte ndezur edhe një xhoint (cigare me marihuanë) në skenë.
Më herët kogja ke pasë mesazhe revoltuese politike për pushtetet e mëhershme, a e ki energjinë e njëjtë edhe për pushtetin aktual?
"Po pres ça kanë me bo, të paktën për një mandat, apo dy, që me pasë ça me thonë. Nëqoftëse edhe qiky pushtet ka me pasë ça kom përjetu qe 20 vjet, edhe ky (pushtet) ka me pasë energjinë e njëjtë, mos ma keq".
Një pjesë të madhe të performancës ia kushtove tentativave me i denigru artistët materialistë të estradës, a mendon që edhe arti i flexit (fryrjes) është i nevojshëm në hip-hop, se nuk jena gjithë në disponim me ngu 'Zanin e Skamjes', najherë nihëm me ngu edhe 'A pe she' (nëse ekziston një këngë që do ta përmblidhte artin e fryrjes, është kjo) të Butës?
"Nëqoftëse e jeton, këndoje flexin (fryrjen). Në qoftëse je 'dua të jem' (wanna be), mos e këndo o vëlla. Normal, duhet me konë një Bim, një Butë, një ai, një ky. Nëse don m'u fry, fryju, nëse e ki, fryju. Nëse nuk e ke, këndo diçka tjetër.
"Une e kom problem me fake (mashtrim). Mos mashtro, jetoje. Këndoje qata që e jeton, ky është hip-hopi".
Pyetjet e mia tutje janë për fansat fanatikë të hip-hopit dhe një çështje që gjithmonë ka qenë pjesë e debatit në komunitetin global të këtij zhanri, kështu që, mos u ndjeni keq nëse nuk e dini detajisht për çka po bëhet fjalë.
'Ether' a 'Takeover'? Ishte pyetja ime e radhës.
'Ether' ishte dissi monumental i Nas-it, reperit të preferuar të Bimit, ndaj Jay Z-së (reperit tim të preferuar), me një pjesë të komunitetit që besojnë se 'Ether' ishte diss shumë më i mirë se 'Takeover' i Jay Z-së, por që ky i fundit nuk do mend se ishte "njëqind herë më i mirë", siç thotë edhe vetë zoti Hov.
"'Ether'", u përgjigj menjëherë Bimi, para se të kërkoja arsye.
"Nas-i", u shpreh ai. "Njeri, nuk ka diss ma të kompletumë se Nas-i që ia ka bo Jay Z-së", u shpreh tutje Bimi, me të cilin aspak nuk po pajtohesha. Kur flasim për diss të kompletuar, vetëm analizoni instrumentalin e 'Ether', absolutisht bërllok, në krahasim me tingujt absolutisht gjenial të 'Takeover'.
"Aty osht teksti, instrumentali (i 'Ether'), veç e bon ma të mirë. Teksti qysh e ka thonë, çka ka thonë, në refren i ka tri zona t'njejtën kohë, që nuk mundët me bo asni artist sot që osht gjallë. I ka tri rreshta, trijat i thotë përmeniherë, asnjona nuk përzihët.
"Nuk kem çka folim, Nas-i osht mbreti i Nju Jorkit", u shpreh tutje Bimi, me të cilin nuk kisha si të mos pajtohesha më shumë na atë pikë.
BimBimma ka qenë një prej fansave më të zëshëm të Nas-it ndër vite, andaj është e qartë njëanshmëria që mund të ketë në raste të caktuara.
Madje, rreth kësaj i parashtrova një pyetje: "A mendon që je i njëanshëm kur flitet për Nas-in?"
"Në plot sene jom i njëanshëm. Kur duhet me konë i njëanshëm, mendoj që jom i njëanshëm", përfundoi ai.
Biseda 4-5 minutëshe me Bimin rreth hip-hopit ishte e pamjaftueshme, pasi thjesht kishte kaq shumë për t'u thënë ende, teksa unë po parashtroja pyetje dhe nuk kisha shumë mundësi të argumentoja, marrë parasysh vendin dhe atmosferën e zëshme te Kino Liqeni.
Sidoqoftë, në të ardhmen sigurisht se do ta ftoj Bimin në podcast Nacionale, për të diskutuar më shumë dhe më gjërësisht rreth shumë temave e zhvillimeve tjera.

