Anibari 2022: Këtë vit në rrugë rekordi, Peja qytet me edukatë e respekt për filmin dhe filmshikuesit
Në mesin e shumë gjërave, Anibari tashmë e ka cementuar emrin e vet si aktivitet tradicional në qytetin e Pejës.
Filma animacion për një javë të plotë... hapësira transmetuese nëpër tërë qytetin, regjisorë e animatorë nga krejt bota në një vend, mundësi shkëmbimi eksperiencash me ta, klasa ligjërimi tejet produktive, kinema në liqen e koncert në fund për t'i vënë kapakun secilës ditë të gjatë e të nxehtë, e cila me Anibarin fillon prej orës 12:00 të mesditës e vazhdon deri pas mesnate me koncertin e madh.
Interesimi duket dinjitoz. Në secilin aktivitet, sidomos ato gjatë natës, vërehet një fluks i shtuar i njerëzve.
Interesimi më i madh, natyrisht, është për 'Bestytndejën', e cila mbahet te Kino Liqeni pasi të ketë përfunduar transmetimi i filmave.

Po, ju realisht mund të shikoni film nga liqeni me varkë gome, pastaj të zhvendoseni pak metra më larg ku është pozicionuar një skenë gjigante performuese, ku natë për natë po marrin pjesë këngëtarë të njohur e panjohur për veshët e sytë e mi.
"Osht interesant se prej që e kena qitë 'infotable' ka pasë tepër shumë interesim. Jo veç njerëz që i kena mysafir edhe njerëz që e njohin Anibarin, po edhe qytetarë të thjeshtë, fëmijë që kanë pasë qejf me u përfshi brenda aktiviteteve", më tha Zana Ramoviq, projekt menaxhere në Anibar, pasi e vura re në hapësirën e Kino Kubat.
Madje, sipas Ramoviq, ky edicion - i cili është i 13-i me radhë - është në rrugë të mirë ta arrijë ose thyejë 'rekordin' e vitit 2019 kur 10 mijë qytetarë kishin shprehur interesim për të marrë pjesë në aktivitetet e Anibarit.
"Edhe këtë vit po vërehet një fluks i tillë (si ai në vitin 2019). Gati secila karrigë në kinema është e mbushur, në kinema të hapura”.
Në fakt, nuk është vetëm interesimi I njerëzve ajo që lë përshtypje për dikë si unë që po e përcjell nga afër për herë të parë këtë festival.
Sa prej nesh, pjesë e kulturës urbane, kemi dalë të frustruar e me nerva të ngritura prej kinemave, për shkak se personi afër nuk është ndalur së ngrëni apo lëshuar komente gjatë tërë kohës?
E drejt të them, se për ju që I frekuentoni kinematë, e keni idenë për çka e kam fjalën. Epo, mendojeni Anibarin me zero problem të tilla.
Me të nisur shfaqja në ekranin e madh, askush dhe asgjë nuk shpërqëndron… veç nëse dikush largohet në mes të filmave për shkaqe tjera, ndryshe vështirë se eksperienca juaj do të shndërrohet në një të pahijshme për shkak të personave tjerë pjesmarrës.
“A po bojnë problem?” më pyeti një taksist derisa po më dërgonte në qendër të qytetit për t’i përcjelliur aktivitetet e Anibarit.
“Jo, përkundrazi”, i thashë, “më kanë befasu për të mirë në këtë aspekt”.
“Epo, më mirë me bo qejf se telashe”, ma ktheu ai.
Në lokacione të ndryshme, gjithashtu janë vendosur tavolina ku shiten gjësende si stikera, çanta dhe maica.
“Krejt gjësendet që po i shihni këtu kanë të bëjnë me temën që është për edicionin e 13, domethënë për bestytnitë”, u shpreh Gent Gjikolli, I cili po qëndronte i ulur prapa tavolinës shitëse, teksa mbi një maicë po lexoja shkrimin “sapo pashë një yll në rënie”.

“Interesimi është simbolik. Më shumë po blejnë të huajt se lokalët”, tha ai tutje.
Katalogu i festivalit po shitej me çmim prej 5 eurove, çantat 7 euro, maicat për fëmijë nga 8 euro, ndërsa ato për të rritur nga 10. Stikerat silleshin me çmim prej 1 euro (tre copë).
Përndryshe, gjatë ditës së sotme janë transmetuar një mori filmash në kategorinë e të drejtave të njeriut (shtatë filma).
Ndërsa sonte, në Kino Liqeni dhe Kino Kubat do të transmetohen filma të garës ndërkombëtare (pesë filma) dhe në garën e studentëve (gjashtë filma).Ndërsa në “bestytneja”, sonte do të marrin pjesë emra artistësh të njohur si BimBimma, e më pak të njohur si Jolle e Dja Pamon.
