Te Hanet e Mavrovës midis shqiptarëve ortodoksë - NACIONALE

Te Hanet e Mavrovës midis shqiptarëve ortodoksë

2 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Sapo lihet pas Gostivari dhe rruga ngjitet përpjetë vargmaleve të Bistrës drejt Rekës, një copë Zvicër na përcjell përgjatë dhjetëra kilometrave. Për jabanxhinjtë, emërtimet zyrtare si ‘Opština Mavrovo i Rostuša’ ose ato më turistike si ‘Nacionalniot park Mavrovo’ zor që i lënë vend nocioneve të dikurshme etnografike si Reka e Epërme dhe Reka e Poshtme. Duke udhëtuar nga njëri cep i Rekës në tjetrin, shumë nga historitë e harruara të shqiptarëve ortodoksë bëhen sërish të gjalla. Ato me mezi flasin mes shënimesh a skajshënimesh në libra të shekullit të kaluar, por vërtet të fundit shqiptarë ortodoksë që mbijetuan me gjuhë e doke janë ata nga këto vise.

Col Mehmeti

4 prill 2026 – Kur prajtën kambanat e tingullta në meshën e së dielës, manastiri i Shën Gjon Bigorit dukej fort i ngjallur.

Edhe besimtarët dilnin qetazi nga narteksi duke i përcjellë murgjërit drejt njërit prej çardakëve.

Pas një përshpirteje mëngjesore, një ndjesi paqeje ishte kaq e pranishme te secili.

Nëse do të isha zjarr do të digjja, nëse do të isha druvar do të prisja. Por jam zemër, dhe unë dua”, kishte shkruar dikur Kazanzaqisi.

Këtu njerëzia janë të dashur dhe papritur na rrëmben një si pishman, na duket aq e pakuptimtë pse lidhim inat me të tjerët në përditshmëri.

Na ndriçon ai zotimi pastërtor se kurrë nuk do të urrejmë e as nuk do t’i nënshtrohemi veseve.

Njëri nga konakët e manastirit është përplot njerëz dhe mikpritja e sivëllezërve murgjër është shembullore.

Murgu Filip nga Leskoviku na pret me një babaxhanësi të kulluar si të ishim njohur një jetë të tërë.

Shqip na tungjatjetojnë edhe murgjër të tjerë.

Është kohë ringjallje e madhe dhe pranvera e blerimit ka veshur grykën e Radikës nga poshtë duke u ngjitur drejt naltësive të Korabit.

Vetëm kunorat e majave ende zbardhëllonin të përborme.

Ajri i paqtë e mbushte nga çdo anë lugun e Radikës.

Muaji i majit në krahinëzen e Rekës është skenik.

Kjo ngjallje madje ndjehej edhe në muret e bigorta të kishës qindvjeçe, te kalldërmi e konakët me çardakë.

Njerëzia shpërndahen qetësisht, disa lëshohen në Rostushë, të tjerë vazhdojnë kah Dibra.

Ndryshe nga kisha e Shën Naumit që gëlon deri në frymëzënie nga pafund turistë që bëjnë fotoshkrepje e selfie, manastiri i Shën Gjonit të Bigorit është disi më i çlirët.

Vetmia e tij shumëshekullore e ka bërë strehë shpirtësie për të gjithë: të kërshten e muhamedanë pelegrinuan aty thuajse në çdo kohë.

Sapo zbresim në Rostushë, ne mbajmë poshtë Trebishtës dhe rruga drejt Jançës e Vollkovijës kapërcehet shpejt.

Krejt këto fshatra disa më afër e disa më larg mrizojnë në hijen e përjetshme të Bistrës.

Radika e rrëmbyer nxjerr kryet herëpashere në lakesat e udhës.

Para se fusha të bëhej liqen

Te Hanet e Mavrovës ka një gjallëri të bukur njerëzish.

Është një ndalesë ndanë rrugës me restaurante të hijshme.

Në anën e përkundërt, liqeni bunacë si copë qielli në tokë përfton një qetësi si të ishte e huazuar nga agimet e historisë.

Në Bunec marrim rrugën e butë malore drejt fshatit Leunovë që rri i fjetur njësoj si liqeni.

Duket si fat i lidhur nyje prej kushedikur që e gjithë Reka të jetë e shpopulluar në të gjitha kohërat.

E tashmja e saj ekziston vetëm kur reminishojmë për jetën e dikurshme.

Në regjistrimin e fundit, Leonovë nuk doli se kishte më shumë se tridhjetë banorë.

Ujërat e lumit të Mavrovës u zunë me penda në të dy krahët qysh në fundvitet ‘50.

Mbi livadhet e dikurshme të fushës së madhe bëri vend liqeni.

Dikur të harruara në mjerimin e tyre, fshatrat midis kësaj fushe u bënë papritur elegante.

Ato tani u kthyen në brigje skajliqeni.

Jo larg Leunovës, në një lugajë në anën lindore ndodhen si grumbull shtëpitë e Niqiforës si fshat që fqinjëron njësoj në heshtje.

Leunova, një idil i rrallë

Bujtinat e sapondërtuara e shtëpitë e lëshuara me qira gjatë javës e rikthejnë kohëpaskohe jetën në Leunovë.

Shumica e gostivarlinjve vijnë këtu në fundjavë.

Hallakama e shpirtit urban e humbet pushtetin këndejpari përballë një kulture të qetësisë që vendos diktat te secili.

Mysafiri nuk është trazimtar e bezdisës, duket sikur një ligj i pashkruar i shpís pa njerëz.

Nga vargmalet që zgjaten në jug drejt Kërçovës vjen një ftohtësi që i përshkon edhe ujërat liqenore.

Mavrova dremit e qetë, por shpesh nën sipërfaqe krijohen vorbulla thellësish midis forcave të tërbuara të rrymimeve.

Sikur ta kishim këtu…ose më mirë jo

Teksa je i vetëdorëzuar në idilin e Leunovës midis ahishtave, liqenit dhe majat të përborme të Bistrës, sakaq ndjen të trokiturat e një shqetësimi therrës.

Dhe ende pa ia hapur portat e di se është mendimi cinik që zgërdhihet para teje.

Sikur të ishte Leunova e liqeni i Mavrovës diku midis Kosove, të thotë.

Po?

Epo, kosovarët do ta përlanin zombërisht.

Brigjet do të leroseshin nga bërlloku, shishet e plastikës, pampersat e pecetat menstruale.

Qetësia e amshimtë do të prishej nga bërtima; shenjtëria e maleve do të vritej nga motorë dyrrotësh e katërrotësh që e ndjekin njëri-tjetrin në kënaqësi barbare.

Edhe ajri i bilurtë do të helmatisej me duhmën e qebapave, pleskavicave e skarave.

Po të ishte dikah kah Peja, Leunova e dëlirë do të merrte fytyrën e një të burgosure me villa private, me buldozerë që gërryejnë e thërmojnë shpatije, asfalte që si limfa shkatërrojnë të paprekurën.

Si për ta ashpërsuar edhe më fort ekocidin (natyrëvrasjen), agjencionet e patundshmërive, ‘real estate’, do t’i vinin pa humbur kohë çmimet e parcelave për të interesuarit.

Po të ishte dikah kah Llapi, Leunova do të zhvishej brenda natës nga motorsharrat e druvarëve llapjanë.

Po të ishte diku skaj kufiri, mërgimtarë fanatikë pas Albin Kurtit do të ndalonin veturat, do të zdisheshin në brekë e do të kërcenin nga penda bëlldum në ujë.

Emra perandorësh

Megjithatë, ky vegim tretet menjëherë dhe ajri liqenor e malor sjell alegro pas alegroje, secili më i pashpjegueshëm se tjetri, secila më i bukur se tjetri.

E shpopulluar gati në aktin e fundit, Leunova tashmë është pa rrëfenjës të moshuar fshati.

Ajo i zbulon hiret e veta vetëm kur shfletohen libra historie e etnologjie nga shekulli i kaluar.

Leunova ishte një nga qendërbanimet në fashën që lidh fshatrat ortodokse të Rekës së Epërme dhe asaj të Poshtme.

Përmendet qysh në shekullin e 15-të ku, sipas regjistrimit të viteve 1452/1453, kishte 14 familje të krishtera që paguanin 365 akçe, gati gjysmën e të hyrave të saj.

Në defterët osmanë figuron me emrin Lunva.

Gati një shekull më vonë, Leunova vazhdoi të ishte e krishterë (më 1545 kishte 54 familje të krishtera, kurse më 1568 u shënuan 62 familje të krishtera dhe vetëm dy myslimane).

Më 1835, ajo u shkëput administrativisht nga sanxhaku i Dibrës dhe i kaloi nahisë së Gostivarit dhe kazasë së Tetovës.

Nga vitet 1890 kur Sofja e Beogradi i lëshuan agjentët e tyre që duhej t’i fusnin në vathën ‘kombëtare’ banorët ortodoksë, shumë nga këta studiues ktheheshin duarbosh.

Ata shkonin për të gjetur serbë a bullgarë, por jeta e andejshme ishte tjetërfare nga ajo siç qe shënjuar në plane.

Kështu, Milan Gajiqi vetëm sa rrudhte krahët nga padija se prej nga vinin emrat josllavë si Leunovë, Niqiforë e Mavrovë (“otkuda ova tri neslovenska imena, ne znam”).

Shpejt do të kuptohej se bëhej fjalë për një botë të moçme bizantine dhe emërvendet ishin përcjellë shpesh përmes formave shqipe.

Kështu edhe propagandistët detyroheshin të bënin një prapakthehu.

Aktivisti bullgar Perikli Çilev, më 1916, theksoi se fshatrat në fjalë ruanin mbijetoja nga e kaluara bizantine.

Sipas tij, Leunova lidhej me emrin Leon (Λέων) që e mbajtën plot perandorë bizantinë; Niqifora lidhej me perandorin Niqifor Foka (Νικηφόρος Φωκᾶς), dhe Mavrova me fjalën greke μαῦρος ,,i zi, i murrmë”.

“Të gjithë ata flasin arnautçe”

Në fillim të shekullit të kaluar, fshati ishte gjysmë-gjysmë: njëra sllavishtfolëse e tjetra shqipfolëse.

Të tillë e pa më 1900 edhe etnografi bullgar Vasil Kançov që e kaloi si shpejt e shpejt.

Në statistikat e tij, misionari nacionalist i Sofjes e shënoi si fshat të përzier me bullgarë e shqiptarë.

Rivaliteti për secilin fshat e mëhallë të Rekës ishte aq i rreptë sa pas Kançovit bullgar vinin të ngjashëm edhe nga Beogradi.

Njëra palë shënonte bullgarë, tjetra i fshinte ata dhe i shënonte për serbë.

Një vit pas Kançovit, serbi Milan Gajiq i shkroi si ‘serbë ortodoksë’ banorët e Leunovës, Niqiforës e Mavrovës, por nuk e fshehu dot se të gjithë ata flisnin edhe shqip (“te svi govore i arnautski”).

Më 1902, serbi tjetër, Sima Tomiq, shkroi për banorët e Leunovës se mbanin të njejtat veshje si ato të shqiptarëve të tjerë rekas (“a odelo im je kao i u Rekanaca u Gornjoj Reci”).

Veshje shqiptare, fjalë shqipe, trashëgimi ilire

Propagandistë serbë e bullgarë luftuan derrësisht për Leunovën.

Nga 1899 deri më 1913, identiteti i banorëve përcaktohej hem nga shkolla, hem nga përkatësia e kishës.

Ata bëheshin serbë kur mbaheshin me metropolitin serb të Shkupit ose bëheshin bullgarë kur mbaheshin me Ekzarkatin.

Më 1929 kur Pollogun e Rekën e vizitoi gjuhëtari rus Afanasiji Selishçev, ai e pa që veshjet e grave në Leunovë, Duf, Niqiforë, Mavrovë e Vrutok ishin shqiptare, siç shembullzohej nga fjalët shqipe për veshjet: kmish’, brez, fytyrë.

Këto veshje shqiptare që mbase ishin të trashëguara nga ilirët e thrakët, sipas Selishçevit, ishin të njejta edhe për burrat që vishnin tirq, xhamadanë e keçe nga coha e zezë.

Nga prilli i 1941-s, Leunova si krejt fshatrat e Dibrës hyri në juridiksionin e Tiranës.

Në tetor 1942 kur u bë regjistrimi nga ofiqarët e shtetit shqiptar, Leunova kishte 694 banorë; nga pjesa ortodokse e fshatit pati plot që u deklaruan si shqiptarë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme