Zbulohet plani rus për të shkëputur centralin bërthamor të Zaporizhzhia nga rrjeti elektrik - NACIONALE

Zbulohet plani rus për të shkëputur centralin bërthamor të Zaporizhzhia nga rrjeti elektrik

1 vit më parë

nga Miranda Shala

The Guardian ka mësuar për një plan të detajuar i cili është hartuar nga Rusia për të shkëputur centralin më të madh bërthamor të Evropës nga rrjeti energjetik i Ukrainës, duke rrezikuar kështu një dështim katastrofik të sistemeve të tij të ftohjes.

Pas shfaqjes së pamjeve që tregonin automjetet e ushtrisë ruse brenda uzinës, liderët botërorë kanë bërë thirrje për çmilitarizimin e zonës së Zaporizhzhia-s. Liderët poashtu e kanë paralajmëruar Rusinë kundër shkëputjes së centralit nga rrjeti ukrainas për të lidhur atë me rrjetin elektrik rus.

Por Petro Kotin, kreu i kompanisë së energjisë atomike të Ukrainës, ka thënë për The Guardian, se tashmë inxhinerët rusë kanë hartuar një plan mbi bazën e planifikimit të emergjencës kur luftimet të ndikojnë në ndërprerjen e lidhjeve të mbetura të energjisë.

“Ata ia paraqitën planin punëtorëve në uzinë. Parakushti për këtë plan ishte dëmtimi i rëndë i të gjitha linjave që lidhin centralin bërthamor Zaporizhzhia me sistemin ukrainas, "tha Kotin në një intervistë të dhënë në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës të mërkurën.

Kotin tani shpreh frikën e tij se ushtria ruse është duke i synuar ato lidhje për ta bërë realitet skenarin e saj.

Kujtojmë se si Rusia ashtu dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet e fundit rreth zonës.

"Ata sapo filluan ta bëjnë këtë, ata filluan të gjitha granatimet, vetëm për të hequr këto linja," tha Kotin.

Ai tha se, tashmë lidhjet e energjisë elektrike të centralit janë në një situatë kritike, me tre nga katër linjat kryesore që e lidhin atë me rrjetin e Ukrainës të prishura gjatë luftës dhe dy nga tre linjat rezervë që e lidhin atë me një central konvencional gjithashtu jashtë funksionimit.

Plani rus për ta shkëputur plotësisht centralin do të rriste rrezikun e një dështimi katastrofik duke e lënë atë të varur nga një burim i vetëm i energjisë elektrike për të ftohur reaktorët.

“Ju nuk mund të kaloni menjëherë nga një sistem në tjetrin, ju duhet të … mbyllni gjithçka nga njëra anë dhe më pas filloni të kaloni në anën tjetër,” tha Kotin.

Gjatë një ndërrimi midis sistemeve të rrjetit, impianti do të mbështetej vetëm në një gjenerator rezervë me naftë, pa opsione të mëtejshme nëse ai dështon. Pas vetëm 90 minutash pa energji, reaktorët do të arrinin një temperaturë të rrezikshme.

“Gjatë kësaj shkyçjeje, termocentrali nuk do të kyçet në asnjë furnizim me energji elektrike dhe kjo është arsyeja e rrezikut”, tha ai. "Nëse nuk arrini të siguroni ftohje ... për një orë e gjysmë, atëherë tashmë do të keni shkrirje."

Kujtojmë se, Rusia mori kontrollin e uzinës së Zaporizhzhia në mars, por ajo ende drejtohet nga punëtorë ukrainas.

Ndërsa, kohët e fundit ka pasur një alaram në rritje për menaxhimin rus të vendit dhe presion mbi Moskën për të lejuar vizitën e inspektorëve të OKB-së.

Lajme të ngjashme