Rusia nuk ndalet, bombardon sërish zonën pranë centralit bërthamor - NACIONALE

Rusia nuk ndalet, bombardon sërish zonën pranë centralit bërthamor

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Vetëm disa orë pas lutjeve të fundit ndërkombëtare për të kursyer zonën përreth centralit bërthamor kryesor të Ukrainës nga sulmet, të hënën në mëngjes ka patur pretendime të reja për granatime ruse pranë objekteve të Zaporizhzhya.

Guvernatori Valentyn Reznichenko, ka bërë të ditur se qyteti Nikopol, në bregun e kundërt të lumit Dnieper dhe rreth 10 kilometra nga uzina, është sulmuar tre herë gjatë natës me raketa dhe mortaja të cilat goditën shtëpi, kopshte fëmijësh, stacionin e autobusëve dhe dyqane rajonale. Ndërkohë, mediat ukrainase kanë bërë të ditur se nga ky sulm kanë mbetur të plagosur katër persona.

Raportet e bombardimeve të vazhdueshme rreth centralit më të madh bërthamor të Evropës theksuan më tej rreziqet e një lufte që të mërkurën do të mbushë gjysmë viti.

Kujtojmë se pas kërkesës së sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për kujdes ndaj uzinës, të dielën edhe presidenti i ShBA-së Joe Biden e diskutoi këtë çështje me liderët e Francës, Gjermanisë e Britanisë.

Të katër liderët theksuan nevojën për të shmangur operacionet ushtarake në rajon për të parandaluar mundësinë e një aksidenti potencialisht shkatërrues bërthamor dhe kërkuan që agjencia e energjisë atomike e OKB-së të lejohet të vizitojë objektet sa më shpejt të jetë e mundur.

Megjithatë, sipas Associated Press, asgjë nuk duket e sigurt në një luftë që ka përhapur frikë dhe shqetësim përtej vijave të frontit në Ukrainën lindore dhe jugore dhe gjithashtu në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia dhe deri në Moskë, ku të shtunën mbrëma një shpërthim makine vrau vajzën e një teoricieni politik me ndikim rus i referuar shpesh si "truri i Putinit".

Të hënën autoritetet ruse po kërkonin të dhëna të mëtejshme se kush mund të qëndronte pas incidentit, pasi autoritetet thanë se informacionet paraprake treguan se komentatorja televizive 29-vjeçare Daria Dugina u vra nga një eksploziv i vendosur në SUV-në që ajo po drejtonte.

Një ish-deputet i opozitës ruse, Ilya Ponomarev, tha se një grup i panjohur rus, Ushtria Republikane Kombëtare, është përgjegjës për këtë sulm, por ekzistenca e ketij grupi nuk është verifikuar nga AP.

Ndërkohë edhe në Krime, ankthi vazhdon të përhapet pas snjë vale shpërthimesh në objektet ruse gjatë dy javëve të fundit. Guvernatori i Sevastopolit, Mikhail Razvozhaev, urdhëroi që në qytet që prej kohësh dukej i paprekshëm, të vendoseshin tabela që tregonin vendndodhjen e strehimeve nga bombat.

Lajme të ngjashme