Ushtria izraelite thotë se ka hyrë në spitalin “Al-Shifa” në Gaza, reagon ShBA-ja - NACIONALE

Ushtria izraelite thotë se ka hyrë në spitalin “Al-Shifa” në Gaza, reagon ShBA-ja

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Ushtria izraelite ka thënë se ishte duke kryer një bastisje kundër Hamasit në spitalin “Al-Shifa” të Gazës të mërkurën herët, duke kryer atë që e quajti “operacion preciz dhe me shënjestër kundër Hamasit në një zonë specifike” të këtij kompleksi mjekësor.

Rreth orës 1 pas mesnatës, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza tha se Izraeli u kishte treguar zyrtarëve të enklavës se do të kryente bastisje në kompleks “në minutat e ardhshëm”. “Al-Shifa” është spitali më i madh i Gazës, raporton gazeta “The Guardian”.

Dr. Munir al-Bursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, i tha televizionit “Al Jazeera” se forcat izraelite e kanë bastisur pjesën perëndimore të kompleksit. “Ka shpërthime të mëdha dhe pluhuri hyri në zonat ku jemi ne. Besojmë se një shpërthim ndodhi brenda spitalit”- tha ai.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur pas njoftimit të operacionit, tha se qeveria amerikane nuk dëshiron që të shohë luftë zjarri në spital. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, i cili nuk dëshiroi që të identifikohej, tha: “Ne nuk e mbështesim sulmimin e një spitali nga ajri dhe nuk duam të shohim luftë zjarri në një spital ku njerëz të pafajshëm, njerëz të pafuqishëm, njerëz të sëmurë që mundohen të marrin kujdes shëndetësor që e meritojnë, kapen në të shtëna.”

Gjendja në këtë spital është bërë fokus i alarmit ndërkombëtar për shkak të përkeqësimit të kushteve në objekt ditëve të fundit. Thirrjet globale për armëpushim humanitar po vazhdojnë, por Izraeli nuk po e ndal sulmin ndaj Gazës as pas pesë javëve.

Sipas të dhënave të ndara me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në këtë spital ndodhen 600 deri në 650 pacientë, 200 deri në 500 punëtorë shëndetësorë dhe rreth 1.500 persona të zhvendosur që kishin kërkuar strehim aty.

Përmes një deklarate, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë: “Duke u bazuar në të dhënat e inteligjencës dhe në nevojën operacionale, forcat e Forcave Mbrojtëse të Izraelit janë duke kryer një operacion preciz dhe me shënjestër kundër Hamasit në një zonë specifike në spitalin Shifa.”

Ushtria izraelite u bëri thirrje forcave të Hamasit që të dorëzohen, duke shtuar: “Forcat e Forcave Mbrojtëse të Izraelit përfshijnë ekipe mjekësore dhe folës të arabishtes, të cilët i janë nënshtruar trajnimit specifik për t’u përgatitur për këtë kompleks dhe këtë mjedis të ndjeshëm, me qëllimin që të mos u shkaktohet dëm civilëve.”

Operacioni në spital u krye pas marrjes së kontrollit më të gjerë në Gazën veriore nga ushtria izraelite të martën, përfshirë kapjen e ndërtesës së legjislaturës së enklavës dhe objektin e drejtorisë së përgjithshme të policisë. Këto lëvizje kanë vlerë të lartë simbolike për operacionin tokësor të Izraelit.

Izraeli ka pretenduar se Hamasi ka një qendër komande nën spitalin “Al-Shifa” dhe i shfrytëzon objektin dhe tunelet nën të për t’i fshehur operacionet ushtarake dhe për të mbajtur pengje. Në anën tjetër, Hamasi e ka mohuar këtë pretendim.

Lajme të ngjashme