Raportohet se në spitalin më të madh të Gazës po hapet varr masiv për pacientët e vdekur
Palestinezët e ngujuar brenda spitalit më të madh në Gaza të martën po hapnin një varr masiv për t’i varrosur pacientët që kanë vdekur gjatë rrethimit të objektit nga forcat izraelite, raporton agjencia “Reuters”.
Forcat izraelite e kanë rrethuar spitalin “Al-Shifa” në qytetin Gaza, për të cilin thonë se ndodhet mbi selinë nëntokësore të militantëve të Hamasit.
Në anën tjetër, Hamasi mohon se aty ka luftëtarë të pranishëm dhe thotë se 650 pacientë e rreth 5 mijë deri në 7 mijë civilë të tjerë të zhvendosur kanë mbetur të ngujuar brenda hapësirave të spitalit, nën zjarr konstant nga snajperët e dronët.
Sipas Hamasit, 40 pacientë kanë vdekur ditëve të fundit, përfshirë tri foshnja me lindje të parakohshme, inkubatorët e të cilave kishin dalë jashtë funksionit.
Ashfraf Al-Qidra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, i kontaktuar përmes telefonit brenda kompleksit të spitalit, tha se atje ndodhen rreth 100 trupa që po shpërbëhen dhe se nuk ka mënyra për t’i nxjerrë ata.
“Po planifikojmë që t’i varrosim ata sot në një varr masiv brenda kompleksit mjekësor “Al Shifa”. Do të jetë shumë e rrezikshme, pasi nuk kemi ndonjë mbulim apo mbrojtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, por nuk kemi opsione të tjera. Kufomat e martirëve filluan që të shpërbëhen. Burrat po e hapin varrin mu tani, përderisa po flasim”- tha ai.
Izraeli tha të martën se do të ofronte inkubatorë të lëvizshëm e me bateri në mënyrë që foshnjat të mund të zhvendoseshin nga spitali, por zëdhënësi Qidra tha se deri më tani nuk ishte bërë ndonjë marrëveshje për kryerjen e një evakuimi të tillë.
