“Tmerrësisht mizore”: Pritet që në ShBA të testohet ekzekutimi i një të burgosuri me gaz azoti
Kenneth Smith-i është njër nga dy amerikanët e gjallë që mund të tregojë se si është ndjenja t’i mbijetosh ekzekutimit, pasi në nëntorin e kaluar nuk vdiq nga një injeksion vdekjeprurës, duke qenë subjekt i dhimbjes torturuese, sipas avokatëve të tij.
Paralajmërim: Teksti i mëposhtëm përmban përshkrime që mund të shkaktojnë shqetësim. Nuk preferohet për persona të ndjeshëm.
Nëntë muaj më vonë, ky i burgosur është veçuar për një përvojë tjetër të padëshirueshme. Nëse shteti amerikan i Alabamas e arrin qëllimin, Smith-i do të jetë pjesë e testimit të një metode tjetër ekzekutimi, që nuk është përdorur kurrë më parë në ekzekutimet nga autoritetet e drejtësisë dhe të cilën veterinerët e cilësojnë të papranueshme si formë të eutanazisë për kafshë – vdekja nga gazi i azotit.
Autoritetet në Alabama e kanë bërë të ditur synimin që të bëhen të parat në ShBA që ekzekutojnë një të burgosur duke e detyruar që të thithë azot të pastër. Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar nga Gjykata Supreme e këtij shteti që të caktojë një datë të re për ekzekutimin e Smith-it duke e përdorur sistemin e patestuar, raporton gazeta “The Guardian”.
Metoda e njohur si “hipoksia azotike” në teori funksionon përmes zëvendësimit të oksigjenit të thithur nga i burgosuri me azot. Brenda disa minutave, kjo do ta zvogëlonte nivelin e oksigjenit në trurin dhe organet e tjera jetike të individit deri në shkallë fatale, duke çuar në vdekje nga ngulfatja.
Ekspertët e dënimit me vdekje kanë shprehur qortime për atë që në praktikë është eksperiment njerëzor. Përzgjedhja e Smith-it si kandidat i parë për zbatimin e kësaj teknike, më pak se një vit pas përjetimit të një ekzekutimi të dështuar, gjithashtu është kritikuar si shkelje e dyfishtë e amendamentit të tetë të Kushtetutës së ShBA-së për mbrojtje kundër “ndëshkimeve mizore dhe të pazakonshme”.
Smith-i, 58 vjeç, është dënuar për vrasjen e Elizabeth Sennett-it më 1988. Ai ishte paguar një mijë dollarë nga bashkëshorti i saj për ta vrarë këtë grua. Burri i saj ishte në borxh dhe dëshironte që ta merrte pagesën e sigurimit.
Gjatë gjykimit kundër Smith-it, një trup gjykues votoi 11 me 1 për t’i shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm, por gjykatësi vendosi ndryshe dhe e dënoi me vdekje.
Më 2022, Smith-i ishte njëri nga tre të burgosurit e dënuar me vdekje në Alabama që u ballafaquan me procedura katastrofale të injeksionit vdekjeprurës. Zyrtarët kishin kaluar disa orë pa sukses në përpjekje për të gjetur një vijë intravenoze përmes së cilës do ta injektonin substancën.
Maya Foa, drejtoreshë ekzekutive e grupit për të drejtat e njeriut, “Reprieve”, tha se Alabama po ngul këmbë në një politikë të eksperimentimit me njerëz.
“Alabama e ka torturuar Kenneth Smith-in një herë tashmë, duke e lidhur e duke e shpuar me gjilpëra për më shumë se një orë në përpjekjen e dështuar për ta vrarë. Është tepër e pamatur dhe mzitore që të bëhet përsëri përpjekje, duke përdorur një metodë të patestuar ekzekutimi, që ka çdo gjasë për të shkaktuar vuajtje të tmerrshme”- shtoi ajo.
