Sot në Florida pritet të ekzekutohet vrasësi “ninxha” për vrasjet e vitit 1989
Një burrë i njohur si “vrasësi ninxha” pritet të ekzekutohet të mërkurën në Florida të Shteteve të Bashkuara për vrasjen e një çifti në vitin 1989.
Është planifikuar që Louis Bernard Gaskin, 56 vjeç, të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës në orën 18 sipas kohës lokale për vrasjen e Robert Sturmfels, 56 vjeç, dhe Georgette Sturmfels, 55 vjeçe, më 20 dhjetor 1989, në shtëpinë e tyre dimërore në bregdetin verilindor të Floridas.
Ky do të jetë ekzekutimi i 100-të në Florida që nga rikthimi i dënimit me vdekje më 1976. 297 persona të tjerë janë në pritje të ekzekutimit në Florida, raporton agjencia “Associated Press”.
Gaskin, i cili njihet edhe si “vrasësi ninxha” për shkak se kishte veshur rroba të zeza si të ninxhave gjatë krimit, i kishte qëlluar burrë e grua me pushkë, kanë thënë hetuesit. Ai është shpallur fajtor për vrasje të shkallës së parë.
Gjërat që i kishte vjedhur nga shtëpia e çiftit – një orë, dy llamba dhe një pajisje për incizim me video-kasetë – ishin gjetur në shtëpinë e tij dhe kishte planifikuar që t’ia bënte dhuratë për Kërshëndella të dashurës, sipas hetuesve.
Ai është shpallur fajtor edhe për plaçkitje të armatosur dhe tentativë për vrasjen e një çifti tjetër në po të njëjtën natë.
Gjykatat supreme në Florida dhe në nivelin federal i kanë refuzuar apelet që i ka paraqitur i dënuari që nga nënshkrimi i dënimit me vdekje. Refuzimi i fundit u bë të martën.
