Si po ndryshon lufta në epokën e dronëve? Roli i tyre në konfliktin Rusi-Ukrainë
Për të dalluar pozicionet e armikut, për të lëshuar raketa dhe për të drejtuar zjarrin e artilerisë, në luftën Ukrainë-Rusi janë duke u përdorur mijëra dronë.
Çfarë dronë ushtarakë kanë Ukraina dhe Rusia?
Droni kryesor ushtarak i Ukrainës është Bayraktar TB2 i prodhimit turk. Ai ka përmasat e një avioni të vogël, ka kamera në bord dhe mund të armatoset me bomba të drejtuara me lazer.

Sipas BBC-së, Dr. Jack Watling nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (Rusi), thotë se Ukraina e ka nisur luftën me më pak se 50 dronë të tillë.
Ndërsa, ai thotë se “Rusia përdor kryesisht dronë më të vegjël, të njohur si Orlan-10”, duke shtuar se në fillim të luftës vendi posedonte mijëra prej tyre dhe tani mund t’i kenë mbetur qindra të tillë. Edhe Orlan-10 kanë kamera dhe mund të mbajnë bomba të vogla.

Sa efektivë janë dronët ushtarakë?
Dronët e të dy palëve kanë qenë më efektivë në gjetjen e objektivave të armikut dhe në drejtimin e zjarrit të artilerisë mbi to.
"Pasi një dron Orlan-10 zbulon, një objektiv të armikut, forcat ruse mund t'i kenë gati armët e tyre brenda 5 minutave," thotë Dr. Watling, duke shtuar se pa dronin një sulm mund të marrë 20 deri në 30 minuta kohë për t’u kryer.
Ndërkohë, Dr. Marina Miron, studiuese në studimet e mbrojtjes në King's College në Londër, thotë se dronët kanë lejuar Ukrainën të zgjerojë forcat e saj të kufizuara.
"Nëse do të donit të gjenit pozicionet e armikut në të kaluarën, do t'ju duhej të dërgonit njësi të forcave speciale për ta bërë këtë dhe mund të humbisnit disa trupa," thotë ajo, duke shtuar se “tani gjithçka që rrezikohet është vetëm një dron”.
Në javët e para të luftës, dronët Bayraktar të Ukrainës u vlerësuan gjerësisht.
"Ata po sulmonin objektiva të tilla si deponitë e municioneve dhe luajtën një rol në fundosjen e Moskva (anijes luftarake ruse)," thotë Dr Miron.
Megjithatë, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore tani kanë shkatërruar shumë nga dronët Bayraktar që posedonte Ukraina.
Sipas Watling, "ata janë të mëdhenj, relativisht të ngadalshëm dhe fluturojnë vetëm në lartësi mesatare, dhe kjo i bën të lehtë për t'u rrëzuar."

Si po përdoren dronët joushtarakë?
Dronët ushtarakë janë të shtrenjtë për t'u zëvendësuar - një Bayraktar TB2 i vetëm kushton rreth 2 milion dollarë.
Prandaj të dyja palët - por veçanërisht Ukraina - po u drejtohen modeleve të vogla komerciale, si DJI Mavic 3, i cili është shumë herë më i lirë. Edhe këta dronë mund të pajisen me bomba të vogla, ndërsa një prodhues ukrainas i tyre thotë se forcat ushtarake posedojnë rreth 6000 të tillë.
Megjithatë, dronët komercialë përdoren kryesisht për të dalluar trupat armike dhe për të drejtuar sulmet, pasi janë shumë më pak të fuqishëm se ata ushtarakë.
Distanca totale e fluturimit të DJI Mavic është vetëm 30 km dhe mund të fluturojë maksimumi për 46 minuta.
Si po mbrohet secila palë kundër dronëve?
Dr. Miron thotë se kundër dronëve ushtarakë Rusia është duke përdorur mbrojtje radari kurse ndaj atyre komercialë po mbrohet duke përdorur pajisje elektronike.
“Forcat ruse kanë pushkën Stupor, e cila lëshon impulse elektromagnetike”, thotë ajo. Kjo i ndalon dronët komercialë të jenë në gjendje të fluturojnë duke përdorur GPS.

Nga kush po furnizohen me dronë Ukraina dhe Rusia?
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Rusia tani po blen dronë ushtarakë Shahid nga Irani. Këta dronë janë përdorur më parë nga forcat rebele Houthi në Jemen për të sulmuar objektivat në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërsa, ShBA është duke furnizuar Ukrainën më rreth 700 dronë ushtarakë Switchblade. Dronë të cilët janë të mbushur me eksplozive dhe fluturojnë në ajër derisa të gjejnë objektivin e tyre.
Duke qenë, se kompania SpaceX e Elon Musk është duke ofruar sistemin e saj të komunikimit satelitor Starlink në Ukrainë, është krijuar edhe një lidhje e sigurt midis dronëve komercialë dhe operatorëve.
Si po paguan Ukraina për dronët?
Ukraina ka nisur një fushatë për financim nga njerëzit, në mënyrë që të blejë 200 dronë ushtarakë.
Kujtojmë se, Orkestra Kalush fituese e Eurovision Song Contest, e shiti trofeun për 900,000 dollarë, para të cilat më pas i dhuroi për blerjen e dronëve.


