Rusia sulmon me bomba termobarike - pamje të tmerrshme nga luftimet në Donbas
Një video e re e publikuar, shfaq ushtrinë ruse duke shkatërruar pa dallim disa blloqe ndërtesash banimi me breshëri të tmerrshme bombash termobarike.
Qyteti i Pisky, në periferi të Donetsk u shkatërrua nga armët termobarike të Putinit të njohura ndryshe si “bombat me vakum”, të cilat shkaktuan topa zjarri masiv që përfshinin plotësisht rreshtat e blloqeve të apartamenteve.
Përpara shpërthimit të tyre, armët termobarike spërkasin me aerosol shumë të ndezshëm, e më pas krijohet një re që sjellë temperatura të larta dhe shpërthime më të dëmshme që zgjasin shumë më gjatë se shpërthimet e zakonshme.
Klipi tronditës është shpërndarë nga llogaritë pro-ruse në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe përfaqëson edhe më shumë prova të trupave të Putinit që synojnë zonat e banuara dhe qendrat civile, në kundërshtim me pretendimet zyrtare të ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Këto pamje, vijnë pasi ushtria ruse rifilloi një sulm për të kapur më shumë territore në rajonet Donetsk, Kherson, Zaporizhzhia dhe Kharkiv.
Ndërsa, një raport nga Forcat Tokësore të Ukrainës tha se njësitë ruse tani po përpiqen të mbrojnë tokën që kanë fituar tashmë në rajonet Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Kharkiv, ndërsa përpiqen të avancojnë ngadalë pozicionet e tyre në Donetsk.
Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu ka pohuar se qëllimi i Kremlinit është të rimarrë të gjithë rajonin e Donbasit nga Ukraina, gjë që do të kërkonte që forcat e Putinit të fitojnë kontrollin e plotë të të gjithë rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut.
Ndërkohë, një përditësim i inteligjencës nga ministria e Mbrojtjes e Britanisë sugjeroi se Kremlini po organizon operacione rekrutimi për të rimbushur dhjetëra mijëra trupat e tij të vrarë në Ukrainë që nga 24 shkurti.
Edhe pse ministria ruse e Mbrojtjes mohon se po ndodh ndonjë 'aktivitet mobilizimi', sipas raporteve, DailyMail shkruan se autoritetet po bëjnë çdo gjë të mundur për të forcuar regjistrimin.
Billbordet dhe reklamat e tranzitit publik në rajone të ndryshme ruse bëjnë thirrje për burrat që të bashkohen me ushtrinë profesionale, ndërsa autoritetet kanë ngritur qendra të lëvizshme rekrutimi në disa qytete, duke përfshirë një në Siberi.
E edhe administratat rajonale ndërkohë po formojnë 'batalione vullnetare' që promovohen në televizionin shtetëror rus.

