Miliarderi rus kundër Putinit: Lufta, rezultat i çmendurisë së një personi - NACIONALE

Miliarderi rus kundër Putinit: Lufta, rezultat i çmendurisë së një personi

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Boris Mints është një nga pak biznesmenë të pasur rusë që ka marrë guximin të flasë kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe presidentit Vladimir Putin.

Në Rusi, shumica e njerëzve të profilit të lartë kanë qëndruar të heshtur për luftën, duke shmangur kritikat ndaj Kremlinit.

E sipas Mints, për këtë gjë ekziston një shpjegim i thjeshtë: "Ata të gjithë kanë frikë".

Kremlini ka një reputacion për goditjen e kritikëve të hapur të presidentit Putin, kontrollimin e përmbajtjeve të kanaleve ruse të lajmeve dhe nga viti 2014, në vend janë të ndaluara edhe protestat e paautorizuara.

Mints tha se "çdo person që kritikon hapur Putinin ka arsye të shqetësohet për sigurinë personale".

Megjithatë, në një intervistë për BBC-në ai u shpreh me fjalët: "Unë nuk kam ndërmend të jetoj në një strehë për bomba, siç bën zoti Putin".

64-vjeçari, i cili e ndërtoi pasurinë e tij përmes kompanisë së investimeve O1 Group, të cilën e themeloi në 2003 dhe më pas e shiti në 2018, tha se “në Rusi mënyra e zakonshme për të ndëshkuar një pronar biznesi për intolerancën ndaj regjimit është duke hapur një çështje penale të sajuar kundër atij biznesi”.

“Raste të tilla penale do të prekin jo vetëm vetë pronarët e bizneseve, por edhe familjen dhe punonjësit e tyre”, tha ai duke shtuar se,"çdo lider biznesi i pavarur nga Putini shihet si një kërcënim pasi ai ose ajo mund të jetë në gjendje të financojë opozitën ose të kultivojë protesta - si i tillë, ata njerëz shihen si armiq të Putinit dhe, për rrjedhojë, si armiq të shtetit".

“Burgimi i pashmangshëm”

Është një situatë në të cilën Mints ka përvojë, pasi ishte burgosur kur kishte folur publikisht kundër politikave të presidentit Putin në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë.

Atëkohë, pas vrasjes së Boris Nemstov, Mints ndjeu se duhej të largohej nga Rusia për në Mbretërinë e Bashkuar.

Nemtsov ishte një kundërshtar i ashpër i presidentit Putin. Vrasja e tij në vitin 2015 është vrasja politike e profilit më të lartë që kur Putini erdhi në pushtet. Megjithatë, autoritetet kanë mohuar çdo përfshirje në vrasjen e tij.

E dy vjet më vonë, ish-kompania investuese e Mints, O1 Group, "u gjend në një konflikt të hapur kundër Bankës Qendrore të Rusisë", tha ai, me procedurat ligjore që filluan në disa juridiksione të ndryshme.

“Kur gjëra të tilla fillojnë të ndodhin, është një sinjal i qartë se njeriu duhet të largohet menjëherë nga vendi”, tha ai.

Mints, edhe aktualisht është subjekt i veprimeve ligjore nga Kremlini.

Mints thotë se, "hapi më i guximshëm në dispozicion për rusët e pasur që nuk e pëlqejnë Putinin është të shkojnë në heshtje në mërgim", duke përmendur rastin e Mikhail Khodorkovsky, i cili dikur ishte njeriu më i pasur i Rusisë, por u burgos për pothuajse një dekadë me akuza për mashtrim dhe evazion fiskal, të cilat, thotë ai, ishin të motivuara politikisht.

Mints i quajti veprimet e fundit të presidentit Putin "të neveritshme", duke thënë se pushtimi ishte "ngjarja më tragjike në historinë e fundit, jo vetëm të Ukrainës dhe Rusisë, por globalisht".

Ai gjithashtu e krahasoi atë me pushtimin e Polonisë nga Adolf Hitleri në 1939.

“Kjo luftë është rezultat i çmendurisë dhe urisë për pushtet të një personi të vetëm, Vladimir Putin, i mbështetur nga rrethi i tij i ngushtë”, tha Mints.

"U shkarkova një ditë pas takimit me Putinit"

Mints u njoh për herë të parë me Putinin në fillim të viteve 1990, por foli siç duhet me të vetëm më 2 janar 2000, dy ditë pasi Putin u emërua ushtrues detyre i presidentit të Rusisë.

Më pas, Mints i cili punoi nën ish-presidentin rus Boris Yeltsin në vitet 1990, ishte i prirur të diskutonte planet e tij për të reformuar qeverisjen lokale e për të rritur demokracinë e Rusisë në shekullin e 21-të.

"Putini dëgjoi sugjerimet e mia pa komentuar apo debatuar. Të nesërmen, Pukallaji më shkarkoi”, tha ai.

Ai e dinte atëherë se vizioni i Putinit për vendin e tij ishte "milje larg" nga ai i administratës së mëparshme.

Ndryshe nga biznesmenët e tjerë rusë që janë identifikuar se kanë lidhje të ngushta me Kremlinin, Mints nuk është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Megjithatë, emri i tij u shfaq në të ashtuquajturën "lista e Putinit" e lëshuar nga ShBA në vitin 2018. Ku, nga 210 emra, 114 prej tyre u renditën si në qeveri ose të lidhur me të, ose biznesmenë kryesorë.

96 të tjerët, ku përfshihej edhe Mints, u renditën si oligarkë që me sa duket u përcaktuan më shumë nga fakti se ata kishin vlerë më shumë se 1 miliardë dollarë në atë kohë, sesa nga lidhjet e tyre të ngushta me Kremlinin.

Babai i katër fëmijëve u rendit në listën e miliarderëve botërorë të Forbes në vitin 2017 me një pasuri totale prej 1.3 miliardë dollarësh, përpara se të largohej në vitin 2018.

“Jo çdo sipërmarrës rus është pro-Putinit, dhe po ashtu as çdo person i pasur rus nuk është një ‘oligark’”, tha ai. “Në Rusi, termi nënkupton një udhëheqës biznesi që është shumë i lidhur me Putinin dhe shumica e pasurisë së të cilit, ose fitimet e bizneseve të tyre, varen nga bashkëpunimi me shtetin rus.

Tani që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, Mints, një koleksionist i mprehtë arti, ndihet rehat pa pasur nevojë për siguri shtesë për të mbajtur veten dhe familjen e tij të sigurt në Britani dhe nuk ka ambicie aktuale për t'u kthyer në Rusi.

Lajme të ngjashme