Luftimet në Ukrainë e rrezikojnë centralin e madh bërthamor – si është situata?
Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e centralit më të madh bërthamor të Evropës, duke shkaktuar frikë te komuniteti ndërkombëtar për një katastrofë në kontinent. Cila është situata atje?
Centrali më i madh bërthamor i Evropës
Centrali në Zaporizhzhia është në jug të Ukrainës, afër qytezës Enerhodar, në brigjet e Lumit Dnieper. Ai është njëri nga dhjetë centralet më të mëdha bërthamore në botë.
I ndërtuar gjatë periudhës sovjetike, ai ka gjashtë reaktorë me kapacitet të përgjithshëm prej 5.700 megavatësh. Tre reaktorë janë në operim, shkruan agjencia "Associated Press".
Para luftës, në këtë central prodhohej rreth gjysma e energjisë së siguruar nga centralet bërthamore në Ukrainë. Ky shtet ka 15 reaktorë në katër centrale aktive dhe në të gjithashtu ndodhet Çernobili, ku kishte ndodhur katastrofa bërthamore e vitit 1986.
Rusët e morën kontrollin
Trupat ruse u futën në central disa ditë pas fillimit të luftës më 24 shkurt. Gjatë luftimeve në fillim të marsit, forcat ruse dhe ukrainase shkëmbyen të shtëna afër centralit. Luftimet rezultuan në një zjarr në kompleksin e trajnimeve në central.
Rusët e kanë lënë stafin ukrainas në vendin e punës për ta mbajtur në operim centralin dhe furnizimi me energji nga ky central për pjesët e kontrolluara nga qeveria ukrainase ka vazhduar.

Luftimet përreth centralit kanë shkaktuar frikë për një fatkeqësi si ajo në Çernobil, ku kishte shpërthyer një reaktor, duke shkaktuar rrezatim vdekjeprurës e kontaminim të një territori të madh. Rasti i Çernobilit ishte aksidenti më i rëndë bërthamor në botë.
Forcat ruse e pushtuan zonën e kontaminuar të Çernobilit disa ditë pas fillimit të luftës, por ia dorëzuan kontrollin ukrainasve pas tërheqjes nga zona në fund të marsit.
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza
Ukraina e ka akuzuar Rusinë për vendosje të trupave dhe armëve në central dhe për përdorim të terrenit të tij si vend për nisjen e sulmeve kundër territorit të kontrolluar nga ukrainasit matanë Lumit Dnieper. Zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë thonë se forcat e Moskës e kanë përdorur centralin si mburojë, duke ditur se ukrainasit do të ngurronin që të kundërsulmonin.
Rusia i ka mohuar këto akuza dhe i ka akuzuar forcat ukrainase për bombardim të vazhdueshëm të centralit.
Një varg sulmesh ndaj centralit në ditët e fundit i kanë dëmtuar disa pajisje ndihmëse, por jo në reaktorë dhe nuk ka pasur rrezik për rrjedhje rrezatimi, sipas autoriteteve ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se bombardimet ukrainase në central të dielën shkaktuan shtim të energjisë dhe tym, duke nxitur ndërprerje urgjente dhe duke e detyruar stafin që ta ulte prodhimin nga dy reaktorë.
Në anën tjetër, zyrtarët ukrainas i kanë akuzuar forcat ruse se kanë vendosur mjete shpërthyese në central si përgatitje për një kundërsulm të pritshëm ukrainas në rajon. Ata i kanë akuzuar rusët edhe për sulme të realizuara nga centrali, duke i përdorur punëtorët ukrainas si mburojë njerëzore dhe duke e sulmuar vetë atë vend.
Thirrje për vëzhgim ndërkombëtar
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafale Grossi, i tha agjencisë “Associated Press” javën e kaluar se situata përreth centralit në Zaporizhzhia “është tërësisht jashtë kontrollit”. Ai bëri një apel urgjent ndaj Rusisë dhe Ukrainës që t’ua lejojnë ekspertëve vizitën në kompleks për ta stabilizuar situatën dhe për të shmangur ndonjë aksident bërthamor.

“Çdo parim i sigurisë bërthamore është shkelur. Ajo që është në pyetje është tepër serioze dhe tepër e rëndë dhe e rrezikshme”, tha Grossi.
Sipas tij, zinxhiri furnizues me pajisje dhe pjesë rezervë është penguar. “Prandaj nuk jemi të sigurt që centrali po merr gjithçka që i nevojitet”, tha ai. Grossi theksoi se agjencia ndërkombëtare duhet të kryejë inspektime shumë të rëndësishme për t’u siguruar që materiali bërthamor është i garantuar.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
