Agjencia e OKB-së: Centrali bërthamor i Ukrainës është jashtë kontrollit - NACIONALE

Agjencia e OKB-së: Centrali bërthamor i Ukrainës është jashtë kontrollit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, paralajmëroi se centrali më i madh bërthamor i Evropës në Ukrainë “është tërësisht jashtë kontrollit” dhe bëri një apel urgjent ndaj Rusisë dhe Ukrainës që shpejt t’ua lejojnë ekspertëve vizitën në kompleksin e madh për ta stabilizuar situatën dhe për të shmangur ndonjë incident bërthamor.

Në një intervistë për agjencinë “Associated Press”, Grossi tha të martën se situata po bëhet më e rrezikshme çdo ditë në centralin e qytetit Enerhodar, të cilin rusët e morën nën kontroll në fillim të marsit, pak ditë pas fillimit të luftës.

“Çdo parim i sigurisë bërthamore është shkelur”, tha ai. “Ajo që është në pyetje është tepër serioze, tepër e rëndë dhe e rrezikshme”, shtoi ai.

Grossi përmendi shumë shkelje të sigurisë së centralit, duke shtuar se objekti ndodhet “në një vend ku po zhvillohet një luftë aktive”, afër territorit të kontrolluar nga rusët.

Ai tha se nuk është respektuar integriteti fizik i centralit, duke e përmendur bombardimin në fillim të luftës, kur qendra ishte marrë nën kontroll nga rusët dhe pas informatave të vazhdueshme nga Ukraina e Rusia me akuza për njëra-tjetrën për sulme ndaj centralit.

Ekziston një “situatë paradoksale” në të cilën centrali kontrollohet nga Rusia, por stafi ukrainas vazhdon që t’i zhvillojë operacionet bërthamore, duke çuar në momente të pashmangshme të përçarjes dhe dyshimeve për dhunë, tha Grossi.

Ai shtoi se zinxhiri furnizues me pajisje dhe pjesë rezervë është penguar, prandaj agjencia nuk është e sigurt që centrali është duke i marrë të gjitha ato për të cilat ka nevojë. Agjencia gjithashtu duhet të kryejë inspektime shumë të rëndësishme për t’u siguruar që materiali bërthamor të jetë i sigurt. “Ka shumë material bërthamor për t’u inspektuar atje”, tha Grossi.

“Kur e bëni bashkë tërë këtë, keni një katalog të gjërave që nuk duhet të ndodhin kurrë në ndonjë qendër bërthamore dhe për këtë arsye, kam këmbëngulur nga dita e parë që ne duhet të kemi mundësi që të shkojmë atje për ta bërë këtë vlerësim të sigurisë, për t’i bërë riparimet dhe për të asistuar, siç kemi bërë tashmë në Çernobil”, shtoi shefi i agjencisë së OKB-së për energji bërthamore.

Marrja nën kontroll e këtij centrali nga rusët shkaktoi frikë që 15 reaktorët më të mëdhenj bërthamorë të Ukrainës mund të dëmtohen, duke shkaktuar një urgjencë tjetër si aksidenti i vitit 1986 në Çernobil, që kishte ndodhur rreth 110 kilometra në veri të kryeqytetit Kiev./Nacionale

Lajme të ngjashme