“Putin po grumbullon forca për një sulm të ri në jug të Ukrainës” - NACIONALE

“Putin po grumbullon forca për një sulm të ri në jug të Ukrainës”

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Duke paralajmëruar për një përgatitje për një sulm të ri, ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se forcat ruse janë duke u grumbulluar në jug të Ukrainës.

Ministria tha se trupat e Vladimir Putin "me siguri" janë në pritje të një kundërofensive të Ukrainës ose për një avancim të ri të mundshëm në vend.

“Konflikti është gati të hyjë në një fazë të re", thuhej në deklaratë, duke shtuar se këtë fazë luftimet do të zhvendoseshin në perëndim dhe në jug në një vijë fronti afërsisht 350 kilometra nga afër qytetit të Zaporizhzhia në Khersonin e pushtuar nga Rusia.

Ministria ka bërë të ditur se janë parë kolona të gjata të kamionëve ushtarakë rusë, tankeve dhe armëve duke lëvizur në një drejtim jugperëndimor larg rajonit të Donbasit, i cili ka qenë fokusi i përpjekjeve të fundit të luftës të Rusisë.

Ndërkohë, thuhet se forcat ukrainase po përqendrojnë shënjestrimin e tyre në ura, depo municionesh dhe lidhje hekurudhore në rajonet jugore të vendit në një përpjekje për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të rifurnizuar.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha të shtunën se gjatë javës së kaluar forcat e tij kishin "arritur rezultate të fuqishme" në shkatërrimin e furnizimeve logjistike të Rusisë.

“Çdo goditje në depot e municioneve të armikut, në postet e tyre komanduese dhe mbi akumulimet e pajisjeve ruse na shpëton jetën e të gjithëve ne, jetën e ushtarakëve dhe civilëve ukrainas,” tha Zelensky.

Kujtojmë se gjatë fundjavës, në Zaporizhzhia, Rusia u akuzua përsëri për bombardimin e termocentralit bërthamor, ku firma shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës tha se nga sulmet janë dëmtuar tre sensorë të rrezatimit në objekt.

“Terrori bërthamor rus kërkon një përgjigje më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar – sanksione ndaj industrisë bërthamore ruse dhe karburantit bërthamor”, shkroi më pas Zelensky në Twitter.

Gjithashtu të dielën, Amnesty International kërkoi falje për "shqetësimin dhe zemërimin" e shkaktuar nga një raport që akuzonte Ukrainën për rrezikimin e civilëve duke vendosur trupa ukrainase në zonat e banuara.

Zelensky ka akuzuar organizatën se po përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë nga agresioni rus, ndërsa kreu i Amnesty-së për Ukrainën, Oksana Pokalchuk, dha dorëheqjen, duke thënë se raporti ishte një dhuratë propagande për Moskën.

Lajme të ngjashme