Ukraina akuzon Rusinë se ka bombarduar sërish centralin bërthamor
Ukraina ka akuzuar të dielën Rusinë se ka bombarduar sërish termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, Zaporizhzhia, duke bërë thirrje për sanksione të reja ndërkombëtare ndaj Moskës për "terror bërthamor".
Firma shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës tha se gjatë bombardimeve të reja të shtunën mbrëma, forcat ruse kanë dëmtuar tre sensorë të rrezatimit në objekt, duke lënë të plagosur edhe një nga punëtorët.
“Terrori bërthamor rus kërkon një përgjigje më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar – sanksione ndaj industrisë bërthamore ruse dhe karburantit bërthamor”, ka shkruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Twitter.
Fabrika, në territorin e kontrolluar nga Rusia, u granatua gjithashtu të premten. Sulm për të cilin Moska ka fajësuar forcat ukrainase.
Ndërsa, kompania bërthamore ukrainase Energoatom tha se sulmet e fundit me raketa ruse goditën objektin e magazinimit të uzinës, ku ishin duke u ruajtur 174 kontejnerë me karburant të harxhuar bërthamor.
“Rrjedhimisht, zbulimi në kohë dhe reagimi në rast të një përkeqësimi të situatës së rrezatimit ose rrjedhjes së rrezatimit nga kontejnerët e karburantit bërthamor të harxhuar nuk do të ishte i mundshëm,” thuhej në deklaratën e dhënë.
Ndërkohë, në një deklaratë tjetër të transmetuar nga agjencia e lajmeve Interfax, administrata e instaluar nga Rusia e Enerhodarit të pushtuar, ku jetojnë punonjësit e uzinës, tha se Ukraina kishte goditur centralin duke përdorur një sistem raketash të shumëfishtë Uragan 220 mm.
“Ndërtesat administrative dhe territori ngjitur i depove janë dëmtuar”, thuhej në njoftim
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha se granatimet e së premtes treguan rrezikun e një katastrofe bërthamore. Pasi ato predha goditën një linjë energjie të tensionit të lartë, duke i shtyrë operatorët e centralit të shkëputnin një reaktor pavarësisht se nuk pati ndonjë rrjedhje radioaktive.
Fabrika e Zaporizhzhia-s u kap nga forcat ruse në fillim të marsit, megjithatë ende drejtohet nga teknikë ukrainas.

