Punëtorët e centralit bërthamor në Ukrainë po mbahen nën kërcënim të armëve - NACIONALE

Punëtorët e centralit bërthamor në Ukrainë po mbahen nën kërcënim të armëve

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Stafi në centralin e pushtuar të Zaporizhzhias kanë thënë për BBC-në, se ndërsa trupat ruse po e përdorin centralin si bazë ushtarake ata po mbahen nën kërcënimin e armëve.

Kujtojmë se, forcat ruse kanë pushtuar centralin bërthamor më të madh në Evropë, që nga fillimi i marsit. Megjithatë, ai ende operohet nga teknikë ukrainas.

Kohët e fundit, Moska është akuzuar për përdorimin e uzinës "si mburojë", ndërsa trupat e saj e përdorin atë për të hedhur raketa drejt vendeve të afërta.

Të enjten, pasi u raportuan më shumë bombardime nga centrali, OKB lëshoi një paralajmërim të ri për luftime "që çojnë në katastrofë".

Tani dy punëtorë i kanë thënë BBC-së për kërcënimin e përditshëm, si dhe frikën e tyre nga "ndotja radioaktive e rajonit më të gjerë ose një katastrofë bërthamore.

Zona rreth centralit bërthamor Zaporizhzhia ka parë granatime të rënda gjatë dy javëve të fundit, me deri në 120 raketa të raportuara në një natë të vetme.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së pretendon se ekziston një "rrezik real i katastrofës bërthamore" nëse luftimet nuk ndalojnë dhe inspektorët nuk lejohen të hyjnë.

E ndërsa Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet, pamja është e turbullt, por rreziqet janë të qarta.

“Situata psikologjike është e vështirë”, tha një nga punëtoret. "Ushtarët po ecin kudo me armë dhe të gjithë mbahen në të vërtetë nën kërcënimin e armëve."

Rusia akuzohet se ka vendosur aty rreth 500 ushtarë. Ndërsa, pamjet e fundit kanë treguar automjete ushtarake duke u futur brenda zonës së centralit.

Ukraina është e shqetësuar Rusia ka filluar të bombardojë zonën që ajo pushton në përpjekje për të krijuar një narrativë të rreme, si p.sh për të thënë që: "Ukraina po ju sulmon - kështu që më mirë votoni për t'u bashkuar me Rusinë që të mund t'ju mbrojmë."

Kujtojmë se, politikanët e instaluar nga Moska për rajonin e Zaporizhzhia-s sapo kanë nënshkruar një urdhër për një referendum që do të mbahet së shpejti. Rusia ka organizuar vota false edhe në të kaluarën, në rastin e Krimesë, të cilën e aneksoi në 2014.

Lajme të ngjashme