"Referendumet” në Ukrainë përfunduan, çfarë do të ndodhë në vazhdim? - NACIONALE

"Referendumet” në Ukrainë përfunduan, çfarë do të ndodhë në vazhdim?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Gjatë ditëve të fundit, autoritetet pro-ruse kanë mbajtur të ashtuquajturat referendume në katër rajone të Ukrainës dhe ndërsa votat janë cilësuar si të paligjshme dhe janë hedhur poshtë botërisht si "një mashtrim" nga Ukraina dhe vendet perëndimore, ekziston frika se ato mund të krijojnë një pretekst për një fazë të re e të rrezikshme në luftë.

“Referendumet” u realizuan në një pikë kthese në konfliktin shtatë mujor, pasi kundërsulmet e shpejta nga Ukrainë lëvizën në mënyrë dramatike vrullin në fushën e betejës, larg nga presidenti Putin – i cili si përgjigje pritet të përshkallzojë pushtimin.

Kjo do të thotë se “votat” – dhe rezultatet false që pritet të shpallen nga Rusia, janë një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Rusisë për të rimarrë kontrollin në Ukrainë.

Ja çfarë duhet të dini për referendumet dhe çfarë vjen më pas.

Çfarë po ndodh në pjesët e pushtuara të Ukrainës?

Sipas udhëheqësve separatistë, katër zona të Ukrainës, të okupuara nga Rusia kanë votuar për bashkimin me Rusinë. Sondazhet, të cilat janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, mund të hapin rrugën për aneksimin rus të zonave.

"Rezultati" i votave ndoshta u vendos shumë më përpara se të hidheshin fletëvotimet. “Referendumet e Rusisë janë një mashtrim – një pretekst i rremë për të tentuar të aneksojë pjesë të Ukrainës me forcë në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar.

Votimet, të cilat u zhvilluan gjatë pesë ditëve nga e premtja, u thirrën nga zyrtarë pro-rusë në republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk në lindje, dhe në pjesët e kontrolluara nga Rusia të Kherson dhe Zaporizhzhia në jug të Ukrainës. Së bashku, të katër rajonet përbëjnë rreth 18% të territorit të Ukrainës.

Këtë herë, disa rajone planifikojnë të shpallin rezultatet e tyre më shpejt se të tjerët. Votimi ishte planifikuar të përfundonte të martën. Autoritetet në Luhansk thanë se do të shpallin rezultatet një ditë pas përfundimit të votimit, ndërsa në Kherson, autoritetet do të presin pesë ditë pas mbylljes së votimit.

Kjo do të thotë se rezultatet e pretenduara do të shpallen në fillim të javës së ardhshme. Megjithatë, ata mund të vijnë më shpejt.

Është pothuajse e ditur se rezultatet e shpallura do të kenë pak ngjashmëri me vullnetin aktual të ukrainasve. Një sondazh ekskluziv i CNN i ukrainasve i kryer në shkurt, pak para pushtimit të Rusisë, zbuloi se asnjë rajon i vendit nuk kishte më shumë se një në pesë persona që mbështesin bashkimin e Ukrainës me Rusinë. Madje edhe në lindje – zona më pro-ruse e Ukrainës – më pak se një e katërta e ukrainasve thanë se rajonet që ndiheshin më rusë duhet të lejohen të largohen nga Ukraina dhe të bëhen pjesë e Rusisë.

Sondazhi zbuloi se 18% e ukrainasve në lindje – duke përfshirë rajonet Luhansk dhe Donetsk – ranë dakord me propozimin “Rusia dhe Ukraina duhet të jenë një vend”, ndërsa 16% e ukrainasve në jug, që përfshinte rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, mbështetën atë.

Çfarë dimë për ‘votimin’?

Raportet nga vendet e prekura sugjerojnë se votimi është bërë kryesisht – dhe në disa raste, fjalë për fjalë – me armë.

Serhii Hayday, kreu ukrainas i administratës ushtarake të rajonit të Luhansk, tha se autoritetet po shkonin derë më derë, të ndjekur nga roje të armatosura, për të mbledhur vota.

Në anën tjetër, autoritetet e mbështetura nga Rusia kanë pretenduar një pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke raportuar shifra të cilat janë pritur me tallje nga Kievi dhe vëzhguesit perëndimorë.

Çfarë kërkon Rusia nga këto të ashtuquajtura referendume?

Për sa i përket ligjit ndërkombëtar, referendumet nuk do të arrijnë asgjë, sepse komuniteti global po refuzon me vendosmëri t'i pranojë ato.

Por në shtëpi, Putini do të jetë në gjendje të pretendojë se vullneti i ukrainasve të pushtuar është që t'i përkasin Rusisë – duke i dhënë kështu një pretekst të rremë përpjekjeve të tij për ta kërkuar atë territor si të Moskës.

Kjo ka ngritur shqetësime se Putini do të kërkojë të përshkallëzojë luftën sapo të shpallen "rezultatet".

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tashmë i ka dhënë shenjë këtij qëndrimi ditët e fundit, duke thënë gjatë fundjavës se Moska rezervon të drejtën për të "mbrojtur plotësisht" zonat që zyrtarisht janë bërë territor i saj.

Kur ai njoftoi një mobilizim të pjesshëm të qytetarëve rusë në një fjalim javën e kaluar, Putin madje ngriti spektrin e armëve bërthamore, duke thënë se do të përdorte "të gjitha mjetet në dispozicion" nëse do të konsideronte se "integriteti territorial" i Rusisë është i rrezikuar.

Në javët e fundit, forcat ukrainase kanë ndryshuar plotësisht vrullin në konflikt, duke organizuar kundërsulme të shpejta që e kanë shtyrë Rusinë ushtarakisht. Ndërkohë, në Rusi, "mobilizimi i pjesshëm" i qytetarëve të Putinit ka shkaktuar kaos, me protesta dhe një eksod të qytetarëve që ikin nga Rusia.

Çfarë do të ndodhë më pas me këto rajone?

Disa pjesë të rajoneve në të cilat po mbahen të ashtuquajturat votime - veçanërisht pjesë të Donetsk dhe Zaporizhzhia - nuk kontrollohen aktualisht as nga forcat ruse.

Por Kremlini me siguri do t'i trajtojë menjëherë territoret sikur të jenë pjesë e Rusisë sapo të shpallen rezultatet.

“I gjithë territori shtetëror i Rusisë, i cili tashmë është ose mund të zyrtarizohet në kushtetutën e vendit tonë, sigurisht që do të përfitojë nga mbrojtja e plotë”, tha Lavrov në një konferencë shtypi në Nju Jork të shtunën, duke shtuar: “Si mund të jetë ndryshe? Të gjitha ligjet, doktrinat, konceptet dhe strategjitë e Federatës Ruse janë të zbatueshme në të gjithë territorin e saj.”

Ndërkohë, ka shqetësime se ukrainasit në pjesë të vendit të kontrolluara nga Rusia do të rekrutohen nga pushtuesit e tyre. Pasi, zyrtarët ukrainas thonë se Rusia po i përdor votat si pretekst për të tërhequr ukrainasit në ushtrinë ruse.

“Qëllimi kryesor i referendumit të rremë është të mobilizojë banorët tanë dhe t'i përdorë ata si ushqim topash”, ka thënë Ivan Fedorov, kryetari i Melitopolit të pushtuar nga Rusia.

Qeveria ukrainase thotë se administratat pushtuese ruse, së bashku me Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB), po hartojnë listat e mijëra njerëzve që do të mobilizohen në Zaporizhzhia dhe Kherson.

Në rajonin e Luhanskut, i cili është pothuajse tërësisht i pushtuar nga Rusia dhe forcat e mbështetura nga Rusia, zyrtarët ukrainas thonë se Republika e vetëshpallur Popullore e Luhanskut tashmë po zbaton rekrutim të gjerë.

Si po reagon komuniteti ndërkombëtar?

Perëndimi dhe NATO menjëherë i hodhën poshtë votimet dhe e bënë të qartë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në mbështetjen e tyre për Ukrainën.

“Përgjigja e NATO-s është rritja e mbështetjes”, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, në një intervistë për CNN të premten.

"Mënyra më e mirë për t'i dhënë fund kësaj lufte është të forcohen më tej ukrainasit në fushën e betejës, në mënyrë që ata në një fazë të mund të ulen dhe të arrijnë një zgjidhje që është e pranueshme për Ukrainën dhe e ruan Ukrainën si një komb sovran të pavarur në Evropë."

Zyrtarët amerikanë parashikojnë se Rusia mund të lëvizë shpejt për të aneksuar katër zonat, potencialisht brenda disa ditësh nga përfundimi i votimit.

Një zyrtar tha se, kjo do të nxisë një përgjigje të shpejtë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat janë zotuar të mos i njohin rezultatet.

Në një afat të afërt, pas shpalljes së rezultateve një raund tjetër sanksionesh ndaj Rusisë duket i mundshëm.

Ndërsa zyrtarët nuk kanë parë indikacione se Rusia po planifikon të përdorë armë bërthamore në një afat të shkurtër, ata janë më të shqetësuar për mundësinë tani sesa ishin gjashtë apo shtatë muaj më parë, ka konfirmuar një zyrtar për CNN, megjithëse ata ende pohojnë se gjasat që Rusia ta bëjë një gjë të tillë janë të ulëta.

Lajme të ngjashme