Marrëveshja e Moskës me Beogradin - çka po bën Bashkimi Evropian ? - NACIONALE

Marrëveshja e Moskës me Beogradin - çka po bën Bashkimi Evropian ?

4 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Serbisë, Sergej Lavrov dhe Nikola Selakoviç, nënshkruan të premten një kornizë të re bashkëpunimi që do të lejojë "konsultimet" për çështjet ndërkombëtare.

Marrëveshje u arrit në sallat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke dëshmuar kështu edhe njëherë tjetër lojën e dyfishtë të shtetit serb në një kohë kur shumica e delegacioneve perëndimore shmangnin kryediplomatin rus për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Si reagoi Kosova?

Nënkryetari i kuvendit, Enver Hoxhaj, pati një reagim të ashpër por jo edhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca. Kritika dhe paralajmërime pati edhe nga presidentja e vendit dhe njohës të tjerë të çështjeve politike në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e tha asnjë fjalë në lidhje me lëvizjen e fundit të shtetit serb duke e lënë këtë herë më të vërtetë jashtë 'top prioriteteve' të tij.

Ish-kryediplomati Hoxhaj tha në reagimin e tij në Twitter se vite me radhë i ka paralajmëruar miqtë e tij në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë.

“Për vite me radhë i kam paralajmëruar miqtë e mi në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë, në vend të BE-së. Toleranca e BE-së tani ka kostot e saj. Serbia po mban anën me Rusinë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën duke nënshkruar protokolle me Kremlinin në mes të luftës. Koha për të vepruar!”, ka shkruar Hoxhaj.Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij serb Nikola Selakoviq nënshkruan të premten një dokument të quajtur “plani për konsultime.”, tha Hoxhaj në Twitter

Lidhur me marrëveshjen Moskë-Beograd, analisti Avdi Smajljaj në një prononcim për Nacionalen tha se kjo tregon natyrën e paparashikueshme të Serbisë në lidhje me përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për ta orientuar Serbinë drejt Perëndimit.

“Një marrëveshje e tillë duhet parë si diçka e pritshme, marr për bazë marrëdhëniet Serbi Rusi. Ndër të tjera kjo reflekton paparashikueshmerinë e Serbisë në raport me përpjekjet e ShBA dhe BE për të orientuar Serbinë drejtë Perëndimit. Në këtë drejtim besoj se ShBA dhe BE duhet bërë më shumë. Kjo marrëveshje komplikon edhe më tutje rolin e komunitetit ndërkombëtar ne rajon, duke i shtuar mundësi Rusisë për te rritur rolin e saj në çështjet e Ballkanit.”, tha Smajljaj për Nacionalen.

Profesori Smjaljaj më tej tha se Serbia do ta shfrytëzojë këtë marrëveshje për të forcuar pozicionin e saj në dialog me Kosovën dhe do të kërkojë konsultim me Rusinë brenda parametrave të marrëveshjes, duke sfiduar presionin e SHBA-së dhe BE-së.

“Serbia do të shfrytëzoj ketë marrëveshje për ta forcuar pozicionin e saj në dialog me Kosovën, karshi shtytjes së ShBA dhe BE për të arritur marrëveshjen finale, duke kërkuar që të konsultohet edhe me Rusinë ne kuadër të marrëveshjes. Reagimet e institucioneve të vendit ndaj kësaj marrëveshje nuk kane qene te mjaftueshme. Do të duhej të përdorej si dëshmi për BE sidomos, e cila ka një qasje shumë miqësore ndaj qëndrimeve edhe pro-ruse të Serbisë.”, tha ai.

E analisti Halil Matoshi, në një përgjigje për Nacionalen, vuri në dukje se Serbia është ende nën ndikimin rus.

“Keq që Serbia ende nuk po shkëputet nga ndikimi rus por dokumenti si i tillë nuk është i ri. Më shumë është frikë e Rusisë se Serbia mund të votonte për përjashtimin e Rusisë nga OKB së sa frikë e Serbisë se Kosova mund të bëhet pjesë e OKB-së. Sepse Perëndimi fatalisht çdo gjë Ndërkombëtare për Kosovën (liberalizimin e vizave, njohjen nga 5shja e BE, anëtarësimin në organizata Ndërkombëtare) e ka ndërlidh me dialogun. Nëse Serbia i vë sanksione Rusisë, Marrëveshja për konsulta është pa fuqi juridike, sepse nuk është ratifikuar në Kuvendet e Serbisë dhe Rusisë. Pra, në këso kushtesh bëhet një letër e pa vlerë.”, tha Matoshi për Nacionale.

Kritika për afërsinë e Serbisë me Rusinë ka pasur edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Zërin e Amerikë, ndonëse nuk ka pasur ndonjë reagim konkret lidhur me marrëveshjen.

Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në ‘spastrim etnik’, pasi ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë.”, tha Osmani për Zërin e Amerikës.

Kritikat 'zero efekt' të BE-së

Reagimet kanë qenë të ashpra nga krerët mekanizmave të institucioneve ndërkombëtare, ndonëse efekti i këtyre reagime nuk po duket të ketë ndonjë rol mjaftueshëm për ta zmbrapsur shtetin serb nga përafrimi i vazhdueshëm me Rusinë.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, reagoi me zemërim dhe e quajti marrëveshjen një skandal të madh.

“Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunim në të ardhmen me agresorin rus. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës.”, tha Von Cramon.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është "jashtëzakonisht e shqetësuar".

“Ne po jetojmë në kohën e një agresioni të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër shtetit sovran të Ukrainës. Marrëveshja për Konsultime të rregullta midis Ministrive të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë agresore, në këtë moment, jep një sinjal veçanërisht të fortë të synimit [të Serbisë] për të forcuar bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë Stano.

Nënshkrimi i "planit të konsultimit" midis Serbisë dhe Rusisë, sipas Vladimir Bilcik, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, është një "goditje" për përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për t'u afruar me BE-në.

“Rusia po mobilizohet për të sulmuar Ukrainën, një vend kandidat për në BE. Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, tha Billçik.

Çka thotë marrëveshja sipas ambasadorit Hill ?

Ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka treguar se ka parë marrëveshjen e nënshkruar në mes të Serbisë dhe Rusisë.

Hill pretendoi se nuk ishte diçka e jashtëzakonshme dhe se Rusia po e përdorte atë për të mbështetur konfliktin e saj në Ukrainë.

“Unë e kam parë planin, nuk ka shumë për të. Pyetja është pse Rusia e donte atë dhe padyshim Rusia donte planin për të justifikuar luftën e saj në Ukrainë. Sjellja e Rusisë u dënua nga të gjithë në SHBA, në Indi, madje edhe Kina i kritikoi, askush nuk i mbështet në këtë përpjekje. Pyetja është, pse do të merrnin vërtetimin nga dikush për atë që i bënë fqinjit të tyre,” ka thënë Hill.

Hill ka treguar se njerëzit duhet të kuptojnë se këtu nuk bëhet fjalë për Serbinë, por për Rusinë dhe veprimet e Rusisë, e cila po shkel ligjin ndërkombëtar duke kryer krime lufte në Ukrainë.

Ai gjithashtu theksoi se derisa Serbia ka të drejtë të formësojë politikën e saj të jashtme, SHBA-ja ka të drejtë të shprehë mendimet e saj për zgjedhje specifike në mënyrë të qartë dhe koncize.

“Rusia po sillet në një mënyrë të tmerrshme dhe askush nuk duhet të qëndrojë pranë dhe të thotë se është në rregull që një vend t’ia bëjë një gjë të tillë tjetrit”, ka thënë ai.

“Serbia ka të drejtë, nuk duhet t’i njohë ato referendume, sepse ato nuk u zhvilluan siç duhet, ato janë referendume nën armë, me kërcënime me bajonetë njerëz”, tha Hill.

Lajme të ngjashme