Marrëveshja Serbi-Rusi, kërkohet nga krerët e Kosovës të aktivizohen më shumë - NACIONALE

Marrëveshja Serbi-Rusi, kërkohet nga krerët e Kosovës të aktivizohen më shumë

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Me 23 shtator, Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi. Marrëveshje kjo e cila ka të bëjë me konsultimet e ndërsjellta, mbi çështjet e politikës së jashtme. Kjo marrëveshje, u bë nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç dhe homologu i tij i Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Por, çka po thuhet në Kosovë për këtë marrëveshje?

Këtë marrëveshje e kritikoi ashpër menjëherë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke e cilësuar si skandal të rëndë.

Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunim në të ardhmen me agresorin rus. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës,”- u deklarua Von Cramon.

E pas këtij reagimi, gjatë dites së hënë SHBA-ja ka kërkuar shpjegim nga Serbia, për këtë marrëveshje.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se në këtë moment, nuk duhet të nënshkruhet asgjë me Rusinë.

“Në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë, shumë pak e bëjnë. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë” – tha ambasadori amerikan Christopher Hill.

Hill tha se gjatë javës së kaluar në Nju Jork, janë zhvilluar bisedime të shkëlqyera ndërmjet delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë, dhe se në fund të javës edhe pas gjithë atyre bisedimeve, kanë marrë vesh për nënshkrimin e protokollit.

Ambasadori amerikan, shton se nuk e kanë parë protokollin e nënshkruar, pasi nuk është dokument publik.

Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por duam të dëgjojmë një shpjegim të asaj që është në pyetje”- tha Hill.

Të shqetësuar janë shprehur edhe nga Bashkimi Europian për këtë marrëveshje.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha për Radio Evropën e Lirë, se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”..

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, tha Stano.

Osmani e Kurti alarmojnë

Por, ky nënshkrim i cili u bë në ambientet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku po merr pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pati veç një reagim nga shefi i kabinetit të saj Blerim Vela, në Twitter.

Vela tha se Serbia, punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme, me Rusinë.

“Serbia punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërsa kryeministri Kurti, një ditë pas kësaj marrëveshje, kishte thënë se kjo duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

“Ndërkohë që përballemi me fqinjët veriorë, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviqit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha ai.

Marrëveshje që do të shfrytëzohet për destablizim të Ballkanit

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombtare, Dritëro Arifi thotë se kjo marrëveshje ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të jetë problem, nëse nuk do të merren masa nga vendet e NATO-së dhe BE-së.

Marrëveshja midis Rusisë dhe Serbisë për konsultime të ndërsjellta mbi politikën e jashtme, gjithmonë do të ketë ndikim negative, jo vetëm për Kosovën, po për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje do të jetë problem, nëse nuk do të merren masa nga vendet e Natos dhe BE-së”, tha Arifi për Nacionalen.

Roli i kësaj marrëveshje, sipas Arifit është që kur Rusia të ketë nevojë për interferim në Ballkan, të shfrytëzojë këtë marrëveshje për të destablizura ballkanin apo ndonjë shtet në veçanti, që të krijojë sa më shumë vrima problematike, për vendet e NATO-së dhe BE-së, shtoi Arifi.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se pala kosovare nuk duhet të ketë deklarime të zbehta, siç kishte presidentja e kryeministri. Por, duhet të shkruajnë letra e t’ia dorëzojnë të gjitha shteteve, që ky shqetësim të merret më seriozisht.

Lajme të ngjashme