Borrell: BE-ja duhet t’i marrë seriozisht kërcënimet bërthamore të Putinit - NACIONALE

Borrell: BE-ja duhet t’i marrë seriozisht kërcënimet bërthamore të Putinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se BE-ja nuk duhet t’i injorojë kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin, se do të mund t’i përdorte armët bërthamore në luftën e Ukrainës.

Ai i tha gazetares së BBC-së, Lyse Doucet, se pohimi i Putinit se e ka përnjëmend duhet të merret seriozisht, përcjell Nacionale.

Komentet e zyrtarit të lartë të BE-së erdhën në kohën kur Rusia po e fillon mobilizimin e pjesshëm dhe po i përkrah të ashtuquajturat referendume në zonat e pushtuara të Ukrainës për t’i aneksuar ato më pas. Sidoqoftë, forcat ruse janë zmbrapsur nga një kundërsulm i Ukrainës.

“Qartazi, është një moment i rrezikshëm, sepse ushtria ruse është shtyrë në një qoshe dhe reagimi i Putinit – kërcënimi me përdorim të armëve bërthamore – është shumë i keq”, tha kryediplomati evropian.

Shtatë muaj që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, analistët pajtohen që forcat ruse janë në disavantazh, por Borrell-i tha se duhet të arrihet një zgjidhje diplomatike që i ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ndryshe, mund ta përfundojmë luftën, por nuk do të ketë paqe dhe do të kemi një tjetër luftë”, tha ai.

Ukraina e ka mbizotëruar Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të bashkuara për këtë vit, pasi lufta e kushtueshme po zvarritet pa rrugë të qartë për zgjidhje. Ai foli për vajtimin që po e dëgjon kudo që po shkon.

Nga miqtë në pushime, te udhëheqësit përreth botës që morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë, ata e pyetën kryediplomatin evropian se kur do të përfundojë lufta. Ai tha se shpesh i janë thënë fjalët: “Ndaleni këtë luftë, nuk mund ta paguaj faturën e rrymës.”

Zyrtari i lartë i kundërshtoi shqetësimet se furnizimi i Ukrainës me armë nga BE-ja po pakësohet dhe tha se një gjë e tillë duhet të vazhdojë, bashkë me zbatimin e sanksioneve ekonomike kundër Putinit e aleatëve të tij, pa e lënë anash as aktivitetin diplomatik.

Ai pranoi se rritja e çmimeve të energjisë, e shkaktuar nga lufta, është çështje për t’u shqetësuar. “Njerëzit në vendin tim më thonë se çmimi i gazit nënkupton që ata nuk mund ta vazhdojnë punën, nuk mund ta vazhdojnë mbajtjen e biznesit”, tha politikani spanjoll.

Borrell-i i bëri thirrje presidentit rus që ta luajë pjesën e tij për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar, duke thënë se “për ta vallëzuar vallen tango, nevojiten dy persona”./Nacionale

Lajme të ngjashme