Pamje: Tornado shkatërruese në shtetet qendrore të ShBA-së - NACIONALE

Pamje: Tornado shkatërruese në shtetet qendrore të ShBA-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tornado shkatërruese goditën shtëpi gjatë lëvizjes së stuhisë nëpër Nebraska e Iowa të Shteteve të Bashkuara, ndërsa moti i rrezikshëm mund të përkeqësohet të shtunën. Stuhitë paraqesin rrezik për një sipërfaqe të madhe, nga Michigani në Teksas, raporton televizioni CNN.

Zona Elkhorn në Omaha të Nebraskës është njëra nga komunitetet më të goditura nga stuhia të premten pasdite. Një tornado i fuqishëm bëri shtëpi rrafsh me tokë. Ekipet e shpëtimit po kërkonin ndonjë person të ngujuar ose të lënduar, thanë autoritetet lokale të premten në një konferencë për gazetarë.

Ndërkohë në Iowa, për një tornado të madh u raportua në qytezën Minden, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Në pamjet e siguruara nga televizioni CNN shihet shkatërrimi i strukturave dhe mbetje të shumta.

Moti i ashpër pritet të vazhdojë deri të dielën, ndërsa ka mundësi që e shtuna të jetë dita më e rrezikshme. Tornado të fuqishëm janë të mundshëm në hapësirën nga Michigani në veri deri në Teksas në jug, pëfshirë qytetet Oklahoma, Kansas, Dallas, Milwaukee, Chicago dhe Austin.

Katër persona në Iowa pësuan lëndime të ndërlidhura me stuhinë dhe morën trajtim mjekësor, thanë të shtunën herët zyrtarët lokalë për menaxhimin e emergjencave. Tre prej të lënduarve janë liruar në shtëpi, ndërsa një tjetër mbetet në spital, në gjendje stabile.

Rreth 120 shtëpi u dëmtuan në distriktin Pottawattamie në Iowa, ku shtrihet edhe qyteza Minden. “Të dhënat preliminare tregojnë shkallë të ndryshme të dëmeve” – thanë zyrtarët e emergjencave.

Jason Sunday, banor i Elkhornit, e përshkroi tornadon si “tren mallrash”. “E pamë duke ardhur nga jugperëndimi dhe kur u afrua tepër për rehati, ne u lëshuam në katin e poshtëm [të shtëpisë] shpejt. Ishin në banjën në katin e poshtëm dhe ishte siç thuhet në film, ishte si tren mallrash” – tha ai.

“Jemi mirënjohës që jemi gjallë. Jemi shumë mirënjohës” – shtoi ai.

Shërbimi Kombëtar i Motit pret që një zonë e gjerë e vendit të jetë nën rrezikun për mot të ashpër. Më shumë se 50 milionë amerikanë jetojnë në zonat që janë nën rrezik për mot të ashpër të shtunën.

Lajme të ngjashme