Gati 100,000 rusë kanë ikur në Kazakistan, pas urdhërit të Putinit për mobilizim - NACIONALE

Gati 100,000 rusë kanë ikur në Kazakistan, pas urdhërit të Putinit për mobilizim

11 muaj më parë

nga Miranda Shala

Zyrtarët qeveritarë në Astana, kanë thënë se pas urdhërit për mobilizim të pjesshëm të Putini, gati 100,000 rusë kanë arritur në Kazakistan.

Ata kanë bërë të ditur se burrat rusë, disa me familje kanë filluar të kalojnë masivisht kufirin tokësor të dytin më të gjatë në botë javën e kaluar pas njoftimit të Putinit.

Për të hyrë në Kazakistan rusët nuk kanë nevojë për vizë apo edhe pasaportë, por vetëm për kartat e tyre të identitetit rus. Në vend gjithashtu flitet gjerësisht gjuha ruse.

Ky fluks ka bërë që hotelet në vend të mbushen plot dhe qeratë të rriten shumë.

Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, administrata e të cilit ka refuzuar të mbështesë atë që Rusia e quan një "operacion ushtarak special" në Ukrainë, ka kërkuar durim dhe tolerancë.

"Shumë njerëz nga Rusia kanë ardhur këtu gjatë ditëve të fundit," tha ai në një fjalim të martën, duke shtuar se, "shumica prej tyre u detyruan të largoheshin nga situata e dëshpëruar."

“Ne duhet të kujdesemi për ta dhe të garantojmë sigurinë e tyre. Kjo është një çështje politike dhe humanitare”, tha Tokayev, ndërsa bëri të ditur se këtë situatë qeveria e tij do ta diskutojë edhe me Moskën.

Imazhet satelitore, të publikuara nga Maxar Technology, tregojnë radhët e mijëra automjeteve që largohen nga Rusia në pritje për të hyrë në Gjeorgjinë fqinje. Ndërsa, ana tjetër e rrugës së kthimit në Rusi është pothuajse tërësisht e zbrazët.

Vlerësohet se radha në rrugë përmban afro 6000 automjete.

Ndërkohë, zyrtarët gjeorgjianë thanë më herët se numri i rusëve që mbërrijnë çdo ditë pothuajse është dyfishuar që kur presidenti Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm për luftën në Ukrainë.

Ministri i Brendshëm i Gjeorgjisë Vakhtang Gomelauri tha: “Katër deri në pesë ditë më parë, 5,000-6,000 (rusë) po vinin në Gjeorgji çdo ditë.

"Numri është rritur (tani) në rreth 10,000 në ditë," shtoi ai.

Ndërsa, agjencia kufitare e BE-së Frontex, tha se numri i rusëve që hyjnë në Bashkimin Evropian poashtu është rritur.

“Gjatë javës së kaluar, rreth 66,000 qytetarë rusë hynë në BE, më shumë se 30 për qind krahasuar me javën e kaluar. Shumica e tyre mbërritën në Finlandë dhe Estoni”, tha Frontex në një deklaratë, duke iu referuar javës nga 19 deri më 25 shtator.

Frontex tha se vetëm gjatë katër ditëve të fundit, 30,000 qytetarë rusë kishin mbërritur në Finlandë.

Lajme të ngjashme