Analizë e CNN-së: Lufta e Rusisë në Ukrainë është në një pikë të rrezikshme kulmore
Kaosi i javës së kaluar ka mundur të jetë qetësues në mënyrë të gabuar. Pavarësisht menaxhimit katastrofal të luftës së zgjedhur nga Rusia në Ukrainë, momenti më i rrezikshëm i konfliktit mund të jetë duke u afruar.
Në një pikë këtë javë, Kremlini me gjasë do të deklarojë se referendumet “e rreme” në katër zonat e pushtuara pjesërisht të Ukrainës kanë dhënë një mandat për asimilimin e tyre të shpejtë në atë që Moska e quan territor rus.
Referendumet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e vendeve të NATO-s tashmë kanë bërë të qartë se kjo lëvizje nuk do të ketë rëndësi ligjore dhe do të çojë në sanksione.
Sidoqoftë, kjo do të ndodhë edhe ashtu dhe Rusia, me gjasë, do ta shfrytëzojë këtë moment për ta plotësuar kërcënimin qendror prapa këtij mashtrimi, të deklaruar haptazi nga ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, në fundjavë: që Moska e rezervon të drejtën për t’i “mbrojtur plotësisht” zonat që janë bërë formalisht territor i saj.
Kërcënimi i Moskës është qartazi bërthamor. Putini e ka paraqitur retorikën e tij luftëdashëse – duke paralajmëruar javën e kaluar se Rusia “do t’i shfrytëzojë të gjitha sistemet e armëve në dispozicion”, nëse është e nevojshme – si reagim ndaj kërcënimeve joekzistuese bërthamore të NATO-s.
Prapëseprapë zyrtarët e tij kanë qenë të qartë në mënyrë befasuese: ata duan që përdorimi i armëve bërthamore të konsiderohet mundësi reale dhe, siç tha Putini, jo si mashtrim.
Kjo ka çuar të një ndryshim i frikshëm i mesazheve në Uashington.
Me muaj, zyrtarët perëndimorë refuzuan çfarëdo sugjerimi se konflikti bërthamor ka qenë ndonjëherë edhe në konsideratë. Tash, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarët e kabinetit të tij janë të përqendruar që publikisht të dërgojnë mesazhe të parandalimit dhe gatishmërisë për t’i siguruar aleatët e tyre dhe pothuajse të gjithë të tjerët në planetin Tokë.
Është vërtet shqetësuese të jetosh në një kohë kur qeverisë amerikane i duket që duhet ta paralajmërojë publikisht një Rusi në kohë lufte – një që po humb rëndë dhe në mënyrë të papritur kundër një fqinji për të cilin ata gjithmonë mendonin se mund ta nënshtronin sipas dëshirës – që përdorimi i armëve bërthamore është ide e keqe. Parimet e shkatërrimit të përbashkët e të siguruar, që kishin sjellë qetësi të errët në Luftën e Ftohtë, duket se janë shthurur.
Po ballafaqohemi me një Rusi që dëshiron të paraqesë një pamje të njeriut të çmendur, i gatshëm për të humbur gjithçka – për të gjithë -, nëse përballet me humbjen e luftës së tij.
Putini tash është shumë më i dobët
Ky është moment dyjar për Putinin, i cili nuk ka në dispozicion zmbrapsje ose rrugëdalje të butë.
Mobilizimi i pjesshëm i civilëve rusë ka qenë aq katastrofal sa mund të ketë pritur kushdo që e ka vëzhguar rekrutimin në Rusi nëpër dekada. Persona “të gabuar” rekrutohen, ndërsa të pasurit ikin e të varfrit ua kalojnë në numër të gjithë të tjerëve.
Pushkë të ndryshkura, rekrutë të dehur në autobusë dhe prapë pa përgjigje për pyetjen kyçe – si do të furnizohen dhe si do të pajisen në vijën e frontit këta dhjetëra mijëra ushtarë të patrajnuar e ndoshta pa vullnet, nëse Moska nuk mundi që ta furnizonte si duhet as ushtrinë e rregullt në gjashtë muajt e kaluar?
Kriza në Rusinë e Putinit nuk u desh të priste që të mobilizuarit rishtazi të kthehen në arkivole. Kaosi i mobilizimit tashmë ka bërë që gjigantët e propagandës së Kremlinit si Margarita Simonian, drejtoreshë e televizionit të kontrolluar nga shteti, RT, të veprojë si teze e agonisë në “Twitter” për ruset baballarët, bijtë e bashkëshortët e të cilave janë dërguar në mënyrë të gabuar në vijën e frontit.
Ato argumentojnë se zyrtarët tepër të zellshëm lokalë duhet të fajësohen për gabimet e rekrutimit, por nën tërë këtë janë lufta dhe përndjekja e tmerrshme e saj që e kanë sjellë Rusinë këtu. Njohja e katastrofës së mobilizimit nga elita e Moskës mban erë kritike të vetë kuzhinierit të saj dhe kjo është gjë e rrallë.
E tërë kjo e lë Putinin shumë më të dobët se në kohën kur ai vetëm po e humbte luftën. Si shtim i armiqve të tij, ai tash ballafaqohet me pakënaqësinë e brendshme, që ndoshta është e pashembullt. Pozicioni i tij varet nga fuqia dhe atij i mungon kjo tash, pothuajse tërësisht. Mobilizimi me forcë i burrave në moshë e të rinjve pa vullnet ka pak gjasa që ta ndryshojë llogaritjen në fushëbetejë, ku morali i ukrainasve është shumë i lartë dhe pajisjet e tyre duke u përmirësuar ngadalë.
Mos e shikoni rrethin e brendshëm të Putinit për ndryshime. Ata të gjithë janë të zhytur në gjakun e njëjtë të kësaj lufte dhe pas daulles së ngadalshme të shtypjes, që e ka shndërruar Rusinë në një autokraci distopike në 22 vitet e kaluara. Putini nuk ka pasardhës të qartë; mos pritni që ndokush, që më në fund e zëvendëson atë, ta ndryshojë rrjedhën dhe të kërkojë paqe e rimëkëmbje ekonomike. Cilido pasardhës mund të përpiqet që ta dëshmojë guximin e vet me një ushtrim edhe më të dalldisur se pushtimi fillestar i Ukrainës.
Çka tutje?
Pra, kemi mbetur me një Putin që po humb, i cili nuk mund ta përballojë humbjen. Pa shumë forcë konvencionale të mbetur, ai mund t’u kthehet mjeteve të tjera për ta ndryshuar këtë pozicion të tmerrshëm.
Aeroplanët strategjikë mund të bombardojnë intensivisht pjesë të Ukrainës, edhe pse shumë prej qytezave dhe qyteteve të saj duken sikur kjo gjë tashmë ka ndodhur. Ai gjithashtu mund t’u kthehet armëve kimike ose biologjike, ndonëse këto do të ishin shumë afër kufirit të tij për mendje të qetë ose rehati dhe do të nxisnin reagim intensiv ndërkombëtar.
Pastaj është opsioni bërthamor – opsion që dikur ishte aq i paimagjinueshëm, saqë duket çmenduri për t’u zotuar për ta shtypur në letër. Sidoqoftë, edhe ky opsion vjen me rreziqe për Putinin, përtej hakmarrjes së mundshme të NATO-s. Një ushtri që nuk mund të ngrejë në ajër mjaftueshëm aeroplanë ose që nuk mund të mbushë me naftë mjaftueshëm tanke, ka probleme. Kjo ushtri mund të brengoset që nuk do të mund të kryejë si duhet një sulm taktik bërthamor të saktë, të kufizuar dhe efektiv.
Vetë Putini mund të brengoset që kapja e tij paksa e shthurur në pushtet nuk mund të mbajë një zinxhir komande që është mjaftueshëm i fortë për ta zbatuar në të vërtetë urdhrin për të lëshuar një armë bërthamore. Ky madje mund të jetë momenti ku engjëjt më të mirë të natyrës ruse dalin në pah. Në pesë vjetët që kam jetuar atje, kam takuar një popull të ndritur, të ngrohtë dhe vezullues, i dëmtuar kryesisht nga shekujt e keqqeverisjes.
Prapëseprapë, në ditët e ardhshme, do të jetë tunduese për t’i refuzuar pretendimet e gjera të Moskës për sovranitet e kërcënim me luftë si grahma të vdekjes së një perandorie që harroi ta kontrollonte motorin para se ta niste vozitjen në stuhi. Ky është një moment “fito ose humb” për Putinin dhe ai nuk sheh një të ardhme në të cilën ai humb.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli


