Rusia thotë se nuk po e shqyrton përdorimin e armëve bërthamore “në këtë fazë” - NACIONALE

Rusia thotë se nuk po e shqyrton përdorimin e armëve bërthamore “në këtë fazë”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditëve të fundit janë kthyer diskutimet për mundësinë që Rusia të përdorë armë bërthamore në luftën me Ukrainën.

Më herët, ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Rusi tha për “Sky News” se ai nuk do ta përjashtonte mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin, ta përdorte këtë opsion, nëse konflikti rrjedh shumë keq për të.

Megjithatë, duket se Kremlini u mundua që ta zvogëlojë këtë frikë. Agjencia “Interfax” e citoi kryediplomatin rus, Sergei Lavrov, të ketë thënë se Rusia është duke e shqyrtuar vetëm përdorimin e armëve konvencionale, kur është pyetur nëse vendi i tij po i shqyrton armët bërthamore në Ukrainë.

Agjencia “RIA” paraqiti një deklaratë pak më të gjerë të ministrit rus, i cili citohet të ketë thënë: “Në këtë fazë, ne jemi duke e shqyrtuar opsionin e armëve konvencionale.”

Përmendja e frazës “në këtë fazë” mund të bëjë që disa të vlerësojnë se komenti i tij është bërë për t’u marrë më tepër si paralajmërim sesa si garanci.

Lajme të ngjashme