Analizë: Putini vë bast në një armë antike – kohën
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po vë bast në një armë antike, më e fuqishme se cilado nga raketat që po ia dhurojnë Shtetet e Bashkuara e aleatët evropianë Ukrainës – kohën.
Reuters
Gati pesë muaj pas urdhrit të Putin-it për pushtimin e 24 shkurtit, që ka shkatërruar disa pjesë të Ukrainës, Rusia po shpreson se vendosmëria e Perëndimit do të dobësohet nga alarmi i rritjes së çmimeve globale të energjisë dhe ushqimit, në rritjen e të cilave ka ndikuar edhe lufta.
Zyrtarët dhe televizioni shtetëror rus haptazi kënaqen me rrëzimin e kryeministrave të Britanisë dhe Italisë, Boris Johnson e Mario Draghi, duke i paraqitur dorëheqjet e tyre si rezultat të sanksioneve “vetëlënduese”, që Perëndimi ia ka vënë Rusisë.
Kush në Perëndim, pyesin ata, do të jetë në radhë për t’u rrëzuar?
Putini, që në tetor mbush 70 vjet, i tha Perëndimit këtë muaj se sapo e ka filluar “operacionin” në Ukrainë dhe i sfidoi Shtetet e Bashkuara – që kanë epërsi ekonomike e ushtarake ndaj Rusisë – që të provojnë për ta mposhtur vendin e tij. Sipas presidentit rus, ShBA-ja do të dështonte.
“Basti i Putinit është se ai mund të arrijë sukses në një luftë të zgjatur të gërryerjes”, tha këtë javë në një forum shefi i CIA-s dhe ish-ambasadori amerikan në Moskë, William Burns.
Ish-spiuni i KGB-së ruse po vë bast se mund “t’ia zë frymën ekonomisë ukrainase dhe t’i lodhë publikun e udhëheqësit evropianë si dhe t’i lodhë Shtetet e Bashkuara, sepse, sipas pikëvështrimit të tij, amerikanët gjithmonë vuajnë nga çrregullimi i mungesës së vëmendjes dhe do të hutohen pas diçkaje tjetër”, tha Burns.
Burns, që u dërgua në nëntor të vitit të kaluar në Moskë nga Bideni për ta paralajmëruar Putinin për pasojat e pushtimit të Ukrainës, tha se mendon që basti i udhëheqësit rus do të dështojë.
Megjithatë, Kremlini nuk po shfaq shenja të zmbrapsjes, duke thënë se Rusia do t’i arrijë të gjitha qëllimet e veta në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të mërkurën se ambiciet e Rusisë në Ukrainë tash shkojnë shumë përtej rajonit lindor të Donbasit për të përfshirë një rrip territori në jug dhe “një numër të territoreve të tjera”.
Aneksimi
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së tha të martën se ka të dhëna të inteligjencës se Rusia është duke u përgatitur për ta aneksuar tërë Donabsin si dhe territoret përgjatë bregdetit jugor të Ukrainës, përfshirë Khersonin dhe Zaporizhian.
Kjo do ta formalizonte kontrollin rus në mbi 18 për qind të territorit ukrainas, përpos rreth 4.5 për qind, që Moska e mori më 2014 duke e aneksuar Gadishullin e Krimesë.
“Mesazhi retorik që Lavrovi duket se po ia dërgon Perëndimit është: sa më shumë që zgjat lufta, aq më shumë synojmë ne”, tha Vladislav Zubok, profesor i historisë ndërkombëtare në Shkollën Londineze të Ekonomisë.
“Ky mund të jetë mashtrim i pastër, por nuk do të isha i befasuar, nëse Rusia do të donte që t’i mbante territoret jugore”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara, që i kanë ofruar Ukrainës asistencë prej më shumë se 8 miliardë dollarësh, do të dërgojnë katër sisteme shtesë, HIMARS, në Ukrainë, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Atëherë, si përfundon çështja në Ukrainë?
“Hamendja ime më e mirë është që kjo përfundon në një ngërç afër linjave të betejës, ndoshta me një armëpushim të shëmtuar”, tha Barry R. Posen, profesor i shkencave politike në Institutin e Massachusetts-it për Teknologji.
