Drejtori i CIA-s: Putini shpreson që Amerika do ta harrojë Ukrainën - NACIONALE

Drejtori i CIA-s: Putini shpreson që Amerika do ta harrojë Ukrainën

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Drejtori i agjencisë amerikane të inteligjencës CIA tha sot se presidenti rus Vladimir Putin beson se SHBA do të harrojnë Ukrainën, raporton The New York Times.

William Burns e tha këtë në Forumin e Sigurisë të mbajtur në Aspen në shtetin amerikan të Kolorados.

"Putin mendon se amerikanët vuajnë nga çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe shpërqendrohen lehtësisht nga diçka tjetër. Mendoj se ai e ka gabim këtë herë", tha Burns, duke shtuar se është e vështirë të kuptosh vendimet strategjike të Putinit pa e kuptuar gjendjen e tij shpirtërore.

"Ai është pafundësisht i dyshimtë"

"Ai është pafundësisht dyshues, gjithmonë i fokusuar në dobësitë që mund të shfrytëzojë. Ai nuk beson në anën e mirë të natyrës njerëzore", shtoi Burns.

Drejtori i CIA-s tha se Putini kohët e fundit është mbështetur në një rreth në tkurrje këshilltarësh, duke shtuar se "nuk është një lëvizje e zgjuar karriere" që ndonjë nga këshilltarët të kundërshtojë presidentin rus.

Po ashtu ai ka thënë se përkundër thashethemeve se presidenti rus mund të jetë i sëmurë, drejtori i CIA-s Bill Burns ka deklaruar se Vladimir Putin është “krejtësisht i shëndetshëm”.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Putini ishte i sëmurë apo në një gjendje jo stabile, ai tha: "Ka shumë thashetheme për shëndetin e presidentit Putin, por me sa mund të themi ne, ai është plotësisht i shëndetshëm".

Pra, çfarë duhet të mendojmë lidhur me spekulimet për shëndetin e Putinit?

Gjuha e trupit, të folurit dhe ecja e presidentit rus janë shqyrtuar pa pushim. E sa herë që Putini është zhdukur nga opinion publik për pak ditë apo ka bërë ndonjë gabim të vogël kjo ka shkaktuar një raund spekulimesh intensive për mirëqenien e tij fizike.

CNN shkruan se, Kremlini ka punuar shumë për të krijuar një atmosferë rreth Putinit si i vetmi zgjidhës i problemeve të vendit: Ai organizon një shfaqje të përvitshme dhe gjatë dy dekadave e ka konsoliduar pushtetin duke ndërtuar një sistem që drejtohet nga tekat dhe fiksime e tij (rasti i fundit; pushtimi i Ukrainës)

Pra, pa një pasardhës të Putinit, Rusia është gjithmonë afër një krize politike të plotë. E sa i përket shëndetit të tij, Kremlini çdo herë vetëm është tallur me çdo spekulim të dalë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme