Admirali britanik thotë se Rusia e ka humbur luftën në aspektin strategjik - NACIONALE

Admirali britanik thotë se Rusia e ka humbur luftën në aspektin strategjik

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Stafit të Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Tony Radakin, ka thënë se Rusia tashmë e ka humbur luftën në aspektin strategjik në Ukrainë dhe se tash ka fuqi të zvogëluar.

Ai shtoi se Rusia është duke pësuar humbje të rënda, po mbetet pa ushtarë e raketa të avancuara dhe se kurrë nuk do të mund ta marrë tërë Ukrainën.

“Ky është një gabim tmerrues nga Rusia. Rusia kurrë nuk do ta marrë kontrollin e Ukrainës”, tha zyrtari i lartë ushtarak në një intervistë të publikuar të premten.

Sipas oficerit më të lartë ushtarak të Britanisë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka humbur 25 për qind të fuqisë tokësore të Rusisë vetëm për përfitime të vogla dhe se ky shtet do të dalë me fuqi më të zvogëluar, ndërkohë duke e fuqizuar NATO-n.

“Rusia ka humbur tashmë në aspektin strategjik. NATO-ja është më e fuqishme. Finlanda dhe Suedia po synojnë që të anëtarësohen”, tha ai.

Radakin tha se Putini mund të arrijë suksese taktike në javët e ardhshme, por këto i kanë kushtuar me çerekun e fuqisë ushtarake ruse për fitore të vogla dhe se Rusia po mbetet pa ushtarë e pa raketa të teknologjisë së lartë.

“Presidenti Putin ka përdorur rreth 25 për qind të fuqisë ushtarake të tij për të fituar sasi të vogël territori dhe rreth 50.000 njerëz kanë vdekur ose janë lënduar. Rusia po dështon”, tha ai.

Pretendimet e admiralit britanik përputhen me raportet e inteligjencës britanike, e cila tha se disa grupe taktike të batalioneve ruse, që zakonisht kanë rreth 600 deri në 800 pjesëtarë, së fundi kanë vetëm disa dhjetëra./Nacionale

Lajme të ngjashme