Friedman: Mes Rafahut e Arabisë Saudite, Izraeli duhet ta zgjedhë të dytën - NACIONALE

Friedman: Mes Rafahut e Arabisë Saudite, Izraeli duhet ta zgjedhë të dytën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kolumnisti i njohur i gazetës “The New York Times”, Thomas L. Friedman, në kolumnen e tij të re vlerëson se Izraeli dhe kryeministri i tij, Benjamin Netanyahu, ndodhen para një zgjedhjeje të vetme e të madhe: Cilin e duan më shumë – Rafahun apo Riadin?

Sipas Friedmanit, nëse Izraeli do ta pushtojë qytetin Rafah të Gazës dhe të mundohet që ta zhdukë Hamasin, nëse kjo është e mundshme fare, pa ofruar ndonjë strategji për daljen e Izraelit nga Gaza ose ndonjë horizont politik për një zgjidhje me dy shtete me palestinezë që nuk janë anëtarë të Hamasit, kjo rrugë vetëm do t’ia shtojë izolimin global dhe do të sjellë një prishje të vërtetë me administratën e presidentit Biden të ShBA-së.

E nëse Izraeli dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Arabinë Saudite, një forcë paqeruajtëse arabe për Gazën dhe një aleancë sigurie të udhëhequr nga ShBA-ja kundër Iranit, kjo do të vinte me një çmim tjetër: një zotim nga Qeveria izraelite për të punuar drejt një shteti palestinez me një Autoritet Palestinez të reformuar, por me përfitimin e rrënjosjes së Izraelit në koalicionin më të gjerë të mbrojtjes mes ShBA-së, izraelitëve e arabëve, që shteti hebraik nuk e ka gëzuar kurrë, dhe me urën më të madhe që i është ofruar ndonjëherë Izraelit drejt pjesës tjetër të botës myslimane, ndërkohë duke ngjallur të paktën ca shpresë se konflikti me palestinezët nuk do të jetë “luftë e përhershme”, shkruan kolumnisti Friedman.

“Kjo është njëra nga zgjedhjet më profetike që Izraeli ndonjëherë është detyruar që të bëjë. Ajo që më duket edhe shqetësuese, edhe dëshpëruese, është që nuk ka udhëheqës të rëndësishëm izraelit sot në koalicionin qeveritar, në opozitë ose në ushtri që po i ndihmon vazhdimisht izraelitët ta kuptojnë këtë zgjedhje – i leçitur global apo partner i Lindjes së Mesme – ose t’u shpjegojë se pse duhet zgjedhur të dytën” – shkruan kolumnisti amerikan.

“Hakmarrja nuk është strategji. Është çmenduri e pastër që Izraeli tani është më shumë se gjashtë muaj në këtë luftë dhe udhëheqësia ushtarake izraelite – dhe pothuajse tërë klasa politike – e kanë lejuar Netanyahun që të vazhdojë që të ndjekë një “fitore të plotë” atje, përfshirë ndoshta zhytjen e thellë në Rafah së shpejti, pa një plan për dalje ose ndonjë partner arab i radhitur për t’u përfshirë porsa të përfundojë lufta” – thuhet më tej në kolumnen e Friedmanit.

Në fund të kolumnes, ai vlerëson: “Interesat afatgjata të Izraelit janë në Riad, jo në Rafah. Natyrisht, asnjëri nuk është gjë e sigurt dhe të dy vijnë me rreziqe.”

Lajme të ngjashme