Raportuesja e OKB-së e godet Izraelin: 4 orë armëpushim - për t’ua kujtuar njerëzve tingullin e jetës
Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze, Francesca Albanese, e ka cilësuar “shumë cinik dhe mizor” vendimin e Izraelit për pauza 4-orëshe gjatë luftimeve në Gaza.
“Ka pasur bombardime të vazhdueshme, gjashtë mijë bomba për çdo javë në Rripin e Gazës, në këtë pjesë të vogël toke, ku njerëzit janë të ngujuar dhe shkatërrimi është masiv”- tha zonja Albanese në Australi, sipas agjencisë “Associated Press”.
“Nuk do të ketë ndonjë rrugë kthimi pas asaj që Izraeli është duke e bërë në Rripin e Gazës. Pra, katër orë armëpushim, po, për t’i lënë njerëzit që të marrin frymë dhe të kujtojnë se si është tingulli i jetës pa bombardime para se të fillojë bombardimi i tyre përsëri. Kjo është shumë cinike dhe mizore”- shtoi ajo.
Komentet e raportueses së OKB-së erdhën pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se Izraeli do ta fillojë zbatimin e pauzave 4-orëshe në disa pjesë të veriut të Gazës për ta mundësuar largimin e njerëzve. Megjithatë, ende nuk ka shenja të qarta për zbatimin e kësaj mase.
Si reagim ndaj njoftimit të Shteteve të Bashkuara, zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se çfarëdo plani për pauza afatshkurtra në luftimet në Gaza duhet të bëhet në bashkërendim me OKB-në dhe për të duhet të ketë pajtueshmëri nga të gjitha palët për të qenë “vërtet efektiv”.
