Bideni bën thirrje për “pauzë” në luftimet mes Izraelit e Hamasit pas përballjes me një protestues hebre
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, më në fund ka bërë thirrje për një “pauzë” në konfliktin mes Izraelit e Hamasit në Gazë, pasi u ballafaqua me një protestues në një tubim për mbledhje të fondeve, i cili kërkoi nga kreu i Shtëpisë së Bardhë të bënte thirrje për armëpushim.
Bideni ishte duke folur para rreth 200 njerëzve, kur protestuesi bërtiti me zë të lartë: “Si rabin (udhëheqës fetar hebraik), kam nevojë që ti të bësh thirrje për armëpushim tash.”
Presidenti amerikan iu përgjigj: “Mendoj se kemi nevojë për një pauzë. Një pauzë nënkupton që të jepet kohë për t’i nxjerrë të burgosurit.”
Për ta shikuar videon e ballafaqimit të Bidenit me protestuesin, klikoni KËTU.
Shtëpia e Bardhë më vonë sqaroi se Bideni po u referohej pengjeve që po mbahen nga Hamasi nga sulmi i 7 tetorit në Izrael, kur u vranë rreth 1.400 persona e mbi 200 të tjerë u morën peng, raporton gazeta "The Guardian".
Shtëpia e Bardhë edhe më parë ka thënë se mbështet një “pauzë humanitare” për t’i lejuar dërgimin e ndihmave në Gazë dhe lirimin e pengjeve. Bideni ka shprehur përkrahje për Izraelin, por ditëve të fundit e ka ndryshuar qasjen, pas përkeqësimit të situatës humanitare në Gazë dhe rritjes së numrit të viktimave civile atje.
Presidenti amerikan është ballafaquar me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut, nga udhëheqës të vendeve të tjera e madje edhe nga anëtarë liberalë të partisë së tij, të cilët thonë se bombardimi i Gazës nga Izraeli përbën ndëshkim kolektiv dhe se tani është koha për armëpushim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, të paktën 8.796 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i luftës, përfshirë 3.648 fëmijë.

