Goditje diplomatike: Bolivia i ndërpret marrëdhëniet me Izraelin, dy shtete të tjera i tërheqin ambasadorët - NACIONALE

Goditje diplomatike: Bolivia i ndërpret marrëdhëniet me Izraelin, dy shtete të tjera i tërheqin ambasadorët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Bolivisë vendosi të martën që t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, duke e akuzuar këtë shtet për “krime kundër njerëzimit” në Gazë, ndërsa Kili e Kolumbia i tërhoqën ambasadorët nga Izraeli, duke e kritikuar ofensivën ushtarake të tij në enklavën palestineze.

Zyrtarët bolivianë e përmendën numrin e viktimave civile palestineze në Gazë që ka rezultuar nga lufta e re mes Izraelit e Hamasit, por nuk e përmendën sulmin vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit, që e nxiti konfliktin, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Bolivia vendosi që t’i thyejë marrëdhëniet diplomatike me Shtetin e Izraelit si refuzim dhe dënim të ofensivës ushtarake agresive e joproporcionale të Izraelit që po ndodh në Rripin e Gazës”- tha Freddy Mamani, zëvendësministër i Jashtëm i Bolivisë.

Kili vendosi që ta tërheqë ambasadorin e tij nga Izraeli “përballë shkeljeve të papranueshme të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, të shpërndarë në rrjetin X edhe nga presidenti i vendit, Gabriel Boric.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, gjithashtu njoftoi se do ta tërheqë ambasadorin e shtetit të tij nga Izraeli.

“Nëse Izraeli nuk e ndërpret masakrimin e popullit palestinez, ne nuk mund të mbetemi atje”- shkroi presidenti kolumbian në rrjetin X.

Bolivia, Kili dhe Kolumbia kanë qeveri majtiste.

Maria Nela Prada, ministre e Jashtme në detyrë e Bolivisë, e akuzoi Izraelin për “kryerje të krimeve kundër njerëzimit në Rripin e Gazës kundër popullit palestinez”.

Ajo i bëri thirrje Izraelit që “t’i ndalë sulmet në Rripin e Gazës që tashmë kanë rezultuar në mijëra viktima civile dhe e kanë bërë të detyrueshme zhvendosjen e palestinezëve”.

Edhe Kili bëri thirrje për “ndërprerje të menjëhershme të armiqësive”, duke i dënuar operacionet e Izraelit, për të cilat tha se “përbëjnë ndëshkim kolektiv kundër popullsisë civile palestineze në Gazë”.

Lajme të ngjashme