Izraeli thotë se nëntë ushtarë të rinj iu vranë në pjesën veriore të Gazës
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan për vrasjen e nëntë ushtarëve të tjerë gjatë luftimeve kundër Hamasit në pjesën veriore të Rripit të Gazës të martën.
Të gjithë ushtarët e vrarë, sipas ushtrisë izraelite, ishin të rinj: nga mosha 19 deri në 24-vjeçare, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ushtarët e Brigadës “Givati” u vranë, pasi një automjet i blinduar në të cilin ndodheshin ishte goditur nga një raketë kundërtanke me vetëdrejtim, e hedhur nga Hamasi. Katër ushtarë u plagosën në këtë rast, përfshirë një më seriozisht.
Ushtarët e Batalionit të 77-të u vranë, pasi tanku në të cilin ndodheshin ra në një mjet shpërthyes. Dy ushtarë të tjerë u lënduan seriozisht në këtë incident.
Të martën, ushtria izraelite njoftoi se dy ushtarë të tjerë të Brigadës “Givati” iu vranë gjatë përleshjeve të ndara në Rripin e Gazës.
Po ashtu të martën, një ushtar tjetër i Batalionit “Rotem” u lëndua seriozisht në përleshje të tjera me militantët në Rripin e Gazës.
Për vdekjet e reja të ushtarëve, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha: “Rënia e luftëtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit në beteja kundër terroristëve të Hamasit është goditje e fortë dhe e dhimbshme. Zemrat dhe mendimet tona janë me familjet e tyre të dashura.”
“Arritjet e rëndësishme të luftimeve të ashpra në thellësitë e Rripit të Gazës fatkeqësisht sjellin çmim të lartë. Ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm për një fushatë të gjatë e komplekse që kërkon guxim, vendosmëri dhe përpjekje të vazhdueshme – ne do të fitojmë”- shtoi ai.
Ushtria izraelite tha se operacionet tokësore vazhduan edhe gjatë natës, duke goditur dhjetëra caqe të Hamasit.
Sipas forcave izraelite, rreth 11 mijë caqe të Hamasit dhe të grupeve të tjera janë goditur që nga fillimi i luftës.

