Izraeli sulmohet me raketa e mortaja nga Gaza dhe Libani - NACIONALE

Izraeli sulmohet me raketa e mortaja nga Gaza dhe Libani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një raketë e hedhur nga Rripi i Gazës është përplasur në një zonë banimi në qytetin Ashdod të Izraelit, thonë autoritetet lokale. Raportohet edhe për sulme me mortaja nga Libani.

Në një fotografi të publikuar në rrjete sociale, disa vetura shihet të përfshirë nga zjarri dhe tymi duke u ngritur në qiell mes ndërtesave, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Shërbimi ambulantor izraelit, “Magen David”, tha se ekipet e tij ishin nisur drejt vendit të ngjarjes për të parë nëse ka persona të lënduar.

Disa raketa të tjera u penguin nga sistemi i mbrojtjes ajrore, “Kupola e Hekurt”.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka raportuar për sulme të reja nga pjesa jugore e Libanit drejt pjesës veriore të Izraelit.

Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, pati të shtëna drejt pozicioneve ushtarake në kufi, ndërsa dy mortaja u hodhën nga Libani dhe ranë në zona të hapura afër Kolegjit “Tel-Hai”.

Nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë person të lënduar nga këto sulme.

Ushtria izraelite tha se i sulmoi me artileri burimet e të shtënave me armë dhe të hedhjes së mortajave.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre sulmeve dhe raketave të hedhura më herët nga Libani, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se e goditën infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut.

Lajme të ngjashme