Burgim të përjetshëm ish-zyrtarit ukrainas të inteligjencës për spiunazh për Rusinë
Një ish-zyrtar i lartë ukrainas i inteligjencës është dënuar me burgim të përjetshëm për spiunazh për shërbimin rus të sigurisë, FSB.
Kolonel Dmytro Kozyura u shpall fajtor për tradhti të lartë sipas ligjit të luftës, tha kryeprokurori i Ukrainës. Ai më parë ishte shef i stafit në qendrën kundër terrorizmit në kuadër të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës (SBU), raporton televizioni BBC.
Me anë të një operacioni ishte zbuluar se ai kishte përdorur një shtëpi të sigurt në Kiev për të komunikuar me rusët që po kërkonin të dhëna të klasifikuara rreth ushtrisë dhe lidershipit ukrainas, tha SBU-ja.
Kryeprokurori tha se Kozyura ishte pajtuar që të shpërndante të dhëna “që përbënin sekrete shtetërore” në këmbim të shpërblimit financiar dhe e meriton dënimin më të ashpër.
Kievi ka njoftuar operacione të shumta për ekspozimin e agjentëve rusë në territorin e Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit 2022.
Pas arrestimit të tij në shkurtin e vitit 2025, SBU-ja kishte publikuar një fotografi të ish-zyrtarit të lartë me shefin e inteligjencës së Ukrainës, Vasyl Malyuk, i cili e ka udhëhequr hetimin.
Në një deklaratë pas dënimit, agjencia tha se koloneli ishte rekrutuar nga FSB-ja e Rusisë në Vjenë në vitin 2018, por kishin kaluar disa vjet para se rusët ta rifillonin kontaktin me të, në dhjetorin e vitit 2024.
SBU-ja tha se nga ai ishte kërkuar që të grumbullonte dhe të ndante të dhëna për atë që Ukraina e dinte rreth dislokimit dhe lëvizjes së forcave të armatosura ruse si dhe informacione për armët, infrastrukturën dhe lidershipin politik e ushtarak të vendit./Nacionale