Rebelët Houthi të Jemenit e marrin përgjegjësinë për hedhjen e raketës balistike drejt Izraelit
Sistemi izraelit i mbrojtjes, “Arrow”, pengoi një raketë tokë – tokë të hedhur nga zona e Detit të Kuq drejt Izraelit, tha të martën ushtria izraelite. Kjo është hera e parë që ky sistem i mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë u përdor gjatë luftës me Hamasin.
Raketa balistike besohet se është hedhur nga rebelët Houthi në Jemen, të cilët përkrahen nga Irani. Synimi i sulmit ishte që të goditej qyteti në skajin jugor të Izraelit, Eilat, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha se sistemet e mbrojtjes ajrore e përcollën trajektoren e raketës dhe e penguan atë “në kohën dhe vendim më të përshtatshëm operacional”. Në një fotografi u pa vija e tymit nga raketa e sistemit “Arrow”, ndërsa banorët raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të madh.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se aeroplanët luftarakë rrëzuan edhe dy “caqe armiqësore” - që besohet se ishin dronë – që po fluturonin në zonën e Detit të Kuq gjatë mëngjesit.
“Të gjitha kërcënimet u penguan jashtë territorit të Shtetit të Izraelit. Asnjë hyrje në territorin izraelit nuk u vërejt”- thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Rebelët Houthi në Jemen e morën përgjegjësinë për hedhjen e raketës balistike dhe për një numër të sulmeve të ngjashme në tentativë drejt pjesës jugore të Izraelit.
Yahya Sria, zëdhënës i këtij grupi, tha se sulmi ajror u përbë nga dronët si dhe raketat balistike e me vetëdrejtim dhe u krye “nga ndjenja e përgjegjësisë fetare, morale, humanitare e kombëtare” për popullin e Gazës, përballë dobësisë së botës arabe dhe bashkëpunimit të fshehtë të disa shteteve arabe me Izraelin.
Ai shtoi se ky operacion ishe nxitur nga “kërkesat e popullit jemenas”, duke pretenduar se ky ishte sulmi i tretë që u krye nga rebelët Houthi kundër Izraelit nga fillimi i luftës dhe u zotua se do të kryhen edhe sulme të tjera me raketa e dronë ndaj këtij shteti.
