Qeveria amerikane s’ka takime më “urgjente”, mbi 12 orë bisedime me sindikatat para ndaljes së punës
Zyrtarët e administratës së presidentit Biden të ShBA-së kanë zhvilluar bisedime për më shumë se 12 orë të mërkurën me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të transportit për ta shmangur bllokimin e mundshëm të transportit hekurudhor, që do ta pengonte furnizimin me ushqim dhe derivate, por një sindikatë e vogël e refuzoi marrëveshjen dhe kompania e hekurudhave, “Amtrak”, anuloi të gjitha udhëtimet e gjata të pasagjerëve.
Kompanitë “Union Pacific”, “Berkshire Hathaway’s” dhe “Norfolk Southern” kanë kohë deri një minutë pas mesnatës të premten për të arritur marrëveshje me tri sindikata që përfaqësojnë rreth 60.000 punëtorë para ndërprerjes së mundshme të punës, që do ta prekte transportin e mallrave dhe udhëtimet e gjata të pasagjerëve.
Bisedimet mes sindikatave të punës dhe kompanive hekurudhore, që filluan në orën 9 të mëngjesit, ishin ende duke vazhduar më shumë se pas 12 orëve në orën 21 të mërkurën në selinë qendrore të Departamentit të Punës të ShBA-së në Uashington, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.
Bisedimet po mbikëqyren nga sekretari i Punës i ShBA-së, Marty Walsh, ndërsa të pranishëm janë edhe disa zyrtarë të tjerë. Palët e bisedimeve porositën ushqim italian për darkë të mërkurën në mënyrë që t’i vazhdojnë diskutimet.
“Secili do të duhet që të lëvizë pak me qëllim që të arrihet një marrëveshje”, tha sekretari i Transportit i Shteteve të Bashkuara, Peter Buttigieg.
Një sindikatë, që përfaqëson rreth 4.900 makinistë, mekanikë dhe personel të mirëmbajtjes, tha të mërkurën se anëtarët e saj votuan për të refuzuar një marrëveshje në parim.
Punëtorët e hekurudhave kanë mbetur pa rritje page që tre vjet për shkak të një mosmarrëveshjeje për kontratë, ndërsa kompanitë e transportit hekurudhor kanë shënuar fitim të fuqishëm.
Në bisedimet e tanishme, industria e hekurudhave ka ofruar rritje vjetore të pagave nga viti 2020 deri më 2024, të barabartë me një rritje të përgjithshme prej 24 për qind. Tri nga 12 sindikatat, që përfaqësojnë rreth gjysmën e 115.000 punëtorëve të prekur nga bisedimet, po kërkojnë kushte më të mira për punë.
Sindikatat po gëzojnë rritje të përkrahjes nga publiku dhe punëtorët pas pandemisë, kur punëtorët “esencialë” ishin të rrezikuar nga ekspozimi ndaj sëmundjes Covid-19 për ta mbajtur qarkullimin e mallrave dhe punëdhënësit kanë siguruar fitim të majmë, thonë ekspertët e punës dhe të korporatave.
Ndërprerja e punës do të mund të bllokonte gati 30 për qind të dërgesave të mallrave në ShBA, që do t’i kushtonte ekonomisë amerikane deri në 2 miliardë dollarë në ditë dhe do të shkaktonte një grumbull problemesh në transport, që do t’i preknin energjinë, bujqësinë, prodhimin dhe shitjet me pakicë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se ndërprerja e transportit hekurudhor të mallrave do të ishte “rezultat i papranueshëm për ekonominë tonë dhe popullin amerikan dhe të gjitha palët duhet të punojnë për ta shmangur mu këtë”.
Administrata e presidentit Joe Biden ka filluar që të bëjë plane emergjente për ta siguruar transportimin e mallrave kritike në rast të ndërprerjes së punës.
Kjo çështje ka peshë të madhe për shefin e Shtëpisë së Bardhë, i cili është zotuar se do ta kufizojë rritjen e kostos së konsumatorëve para zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen në nëntor dhe që do ta përcaktojnë fuqinë politike të Partisë Demokratike në Kongres.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u largua nga një konferencë për gazetarë në fillim të javës, pas takimit me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, duke thënë se ka “një takim urgjent”. “Takimi urgjent” doli të jetë një takim me homologun shqiptar, Edi Rama, në Tiranë. Thuhet se në takim u bisedua, mes tjerash, për energjinë./Nacionale

