Pse kanë kaq shumë rëndësi imazhet e reja të teleskopit hapësinor James Webb
Më në fund NASA ka zbuluar imazhet e saj të para nga observatori me bazë në hapësirë. Realizimi i këtyre imazheve ka zgjatur me dekada, dhe zbulimi i tyre u bë pas vitesh vonesash dhe buxheti të shpenzuar. Por, imazhet nuk kanë zhgënjyer.
Shiheni imazhin e parë të lëshuar nga agjencia hapësinore më 11 korrik:

Ajo që e bën këtë imazh kaq tërheqës është se sa i vogël dhe sa i madh është, në të njëjtën kohë.
Është i vogël në kuptimin që ky imazh përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të qiellit të natës. Por është i madh në kuptimin që pothuajse çdo objekt në këtë imazh është një galaktikë (përveç yjeve të shndritshme me gjemba, të cilat janë yje në plan të parë). Mendoni për këtë: në çdo majë qielli, ka të paktën mijëra e mijëra galaktika.
Dhe ndërsa na shfaqet si një imazh i sheshtë, ky imazh zbulon thellësitë e universit dhe është një dritare në kohë. Shpërthimet më të zbehta dhe më të vogla të dritës në këto foto janë imazhe të galaktikave, pasi ato ekzistonin më shumë se 13 miliardë vjet më parë, afër fillimit të kohës (që atëherë ajo dritë ka udhëtuar nëpër hapësirë). Dhe jo vetëm që Webb mund të kapë imazhe të galaktikave kaq të vjetra; teleskopi hapësinor mund të bëjë edhe matje se nga cilat elemente përbëhen këto galaktika të hershme.
Një imazh si ky është i ngjashëm me një mostër bërthamore të një shkëmbi sedimentar. Ai tregon evolucionin e universit në shtresat e tij të shumta me kalimin e kohës dhe përfaqëson një përmirësim të madh mbi aftësitë e teleskopit hapësinor Hubble, i cili, deri në lëshimin e Webb, ishte observatori më i madh në hapësirë.
Pasqyra e Hubble është një diametër mbresëlënës 7.8 metra. Por, pasqyrat e bukura me ngjyrë ari të Webb-it kombinohen për një diametër prej 21,3.
Vox shkruan se, ju tashmë mund të shihni përmirësimet që Webb sjell mbi Hubble. Teleskopi Hapësinor Hubble bëri më parë vëzhgime të ngjashme të të njëjtit grumbull galaktikash të kapura nga Webb.
Në imazhin më poshtë, pamja Hubble është në të majtë e në të djathtë, pamja e Webbit është më e detajuar. Shumë nga galaktikat më të zbehta në sfond dallohen më lehtë. Gjitashtu mund të shihni më lehtë se si disa galaktika janë shtrembëruar si rezultat i dritës së tyre që kalon përmes thjerrëzave gravitacionale të galaktikave që janë më afër.
(Shënim: Këto imazhe nuk janë të përafruara në mënyrë perfekte, por prapë do të jeni në gjendje të shihni ndryshimin e theksuar në detaje.)

Avantazhi tjetër i Webb-it ndaj Hubble është lloji i dritës që kapë.
Drita vjen në shumë lloje të ndryshme. Syri i njeriut mund të shohë vetëm një brez të ngushtë të njohur si dritë e dukshme, por universi përmban shumë e shumë dritë jashtë këtij diapazoni, duke përfshirë format me frekuencë dhe me energji më të lartë: dritën ultravjollcë dhe rrezet gama. Pastaj është drita me energji më të ulët me gjatësi vale më të gjata: infra të kuqe, mikrovalë, radio.
Teleskopi Hapësinor Hubble mbledh dritë të dukshme, ultravjollcë dhe pak infra të kuqe. Ndërsa, Webb është kryesisht një teleskop me dritë infra të kuqe, kështu që sheh dritë që është në një gjatësi vale më të madhe se sa mund të shohin sytë tanë.
Kjo duket e çuditshme dhe teknike, por në fakt është ajo që e lejon Webb-in të shikojë më larg në kohë sesa Hubble.
Drita infra e kuqe është shpesh dritë shumë e vjetër, për shkak të një fenomeni të quajtur zhvendosja e kuqe. Kur një burim drite largohet nga një shikues, ai shtrihet, duke u shndërruar në një gjatësi vale më të gjatë dhe duke u bërë më e kuqe. Është e ngjashme me atë që ndodh me tingullin kur kalon një sirenë: lartësia rritet kur sirena afrohet, pastaj zvogëlohet ndërsa ajo largohet. E për shkak se hapësira po zgjerohet vazhdimisht, gjërat më të largëta në univers po largohen prej nesh, drita e tyre bëhet gjithnjë e më e kuqe përpara se të bjerë përfundimisht në spektrin infra të kuq.
Infra e kuqe është e padukshme për sytë e njeriut, por Webb mund ta kapë atë në detaje yjore.

Të martën, NASA publikoi edhe më shumë imazhe nga Webb, duke treguar aftësitë e tij mbresëlënëse.
Këtu, shihni Mjegullnajën Carina, një zonë e formimit të yjeve. Drita infra e kuqe është më pak e errësuar nga pluhuri kozmik, dhe kështu teleskopi Webb mund të zbulojë më shumë yje në këtë rajon sesa Hubble.
"Webb zbulon gurmbuj yjesh në zhvillim dhe yje individualë që janë plotësisht të fshehur në fotot e dritës së dukshme," shpjegon NASA.

Këtu, Webb vë në dukje një kuintet galaktikash. "Webb në këtë grup galaktikash tregon detaje të papara ndonjëherë," transmeton NASA.
"Grupe vezulluese të miliona yjeve të rinj dhe rajone të shpërthimit të yjeve të freskëta zbukurojnë imazhin."

Në një imazh tjetër mahnitës, Webb vëzhgon mbetjet e një ylli që po vdes në Mjegullnajën e Unazës Jugore. Në të majtë më poshtë, mjegullnaja është kapur në infra të kuqe nga afër dhe në të djathtë është kapur në infra të kuqe të mesme, ku secila nxjerr në pah detaje të ndryshme në këtë kataklizëm. Ylli i zbehtë në qendër ka "dërguar unaza gazi dhe pluhuri për mijëra vjet në të gjitha drejtimet", shkruan NASA.

Ky është vetëm fillimi i misionit shkencor të Webb. Në të ardhmen, shkencëtarët shpresojnë ta përdorin atë për të parë galaksitë, të cilat mbanin yjet e para, dhe të kuptojnë një periudhë kohore të quajtur "agimi kozmik", atëherë kur universi u bë transparent për dritën e yjeve për herë të parë.
Siç shpjegon Fondacioni Kombëtar i Shkencës, përpara agimit kozmik universi ishte i mbuluar nga një "mjegull e dendur dhe errësirë e gazit primordial".
Nuk ka dritë që mund të arrijnë teleskopët tanë nga kjo kohë, e cila quhet epoka e errët kozmike. (Ekziston njëfarë rrezatimi sfondi nga Big Bengu i quajtur sfondi kozmik i mikrovalës, një shkëlqim i dobët që ka shkëlqyer para epokave të errëta. Por në pjesën më të madhe, epoka e errët është një pikë boshe në vijën tonë kohore të universit.)
Astronomët shpresojnë se Webb do t'i ndihmojë ata të kuptojnë fundin e epokave të errëta dhe të kuptojnë se çfarë e shkaktoi ngritjen e kësaj mjegulle, duke sjellë agimin kozmik.
Shkencëtarët janë gjithashtu janë të ngazëllyer për të përdorur aftësitë infra të kuqe të Webb-it për të studiuar ekzoplanetet, të cilët janë planetë që rrotullohen rreth yjeve të ndryshëm nga tonët.
Webb nuk ka gjasa të shohë drejtpërdrejt një ekzoplanet, por ajo që mund të bëjë është të vëzhgojë yjet rreth tyre. Kur një planet rrotullohet përballë yllit, drita nga ylli kalon nëpër atmosferën e planetit si një filtër. Shkencëtarët mund të studiojnë cilësinë e dritës që vjen nga ai filtër dhe të përcaktojnë përbërjen e atmosferës së planetit prej tij. E ekipi i shkencëtarëve që punojnë në Webb tashmë e kanë bërë këtë.
Të martën, NASA njoftoi se Webb ka zbuluar ujë në atmosferën e një planeti gjigant të gazit që rrotullohet rreth një ylli të ngjashëm me diellin.
Pra, Webb në funksionin e tij më themelor, na lejon të shohim më shumë nga universi dhe më larg në kohë. E ky eshte vetem fillimi. Ka ende shumë për të parë.



