NASA marrëveshje të re me Rusinë, pjesë e misionit të SpaxeX edhe kozmonautë rusë - NACIONALE

NASA marrëveshje të re me Rusinë, pjesë e misionit të SpaxeX edhe kozmonautë rusë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Kozmonautët rusë Oleg Kononenko dhe Sergey Prokopyev do të bashkohen me misionet e ardhshme të SpaceX në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Astronautët rusë dhe amerikanë do të ndajnë hapësirën në bordin e së njëjtës anije kozmike pasi NASA dhe Agjencia Ruse e Hapësirës Roscosmos, pas disa muajsh diskutimesh arritën një marrëveshje për udhëtim të përbashkët.

Sipas CNN, dy vende në dy lëshime të veçanta të anijes ruse Soyuz janë rezervuar për astronautët e NASA-s, me të parin që pritet të ngrihet nga vendi i nisjes së Kozmodromit të Rusisë në Kazakistan këtë shtator. Ndërsa kozmonautët rusë do t'i bashkohen të paktën dy misioneve të ardhshme të SpaceX në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ​​duke shënuar herën e parë që një rus ka hipur në një nga anijet kozmike relativisht të reja të Crew Dragon të SpaceX.

NASA ka caktuar astronautin Frank Rubio në misionin Soyuz në shtator dhe astronauti Loral O'Hara do t'i bashkohet një fluturimi të mëvonshëm të Soyuz. Kurse, sipas NASA-s, Roscosmos do të dërgojë kozmonauten Anna Kikina në fluturimin e SpaceX në shtator dhe Andrei Fedyaev do të fluturojë në një tjetër mision SpaceX në pranverën e vitit 2023.

Marrëveshja e re e konfirmuar nga NASA dhe Roscosmos ditën e premte, e cila përveç shkëmbimit të vendeve nuk përfshin shkëmbim pagese, ka qenë duke u diskutuar mes agjencive për muaj të tërë, në mes të tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për luftën në Ukrainë.

Megjithëse, NASA ka thënë vazhdimisht se tensionet në terren nuk kanë ndikuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm të vendeve në hapësirë, ISS – që operohet bashkërisht nga NASA, Roscosmos dhe disa agjenci të tjera hapësinore – është bërë objekt i retorikës luftarake të ngritur nga rusët.

Dmitry Rogozin, i cili u emërua si kreu i ri i Roscosmos të premten, më parë kishte kërcënuar të tërhiqte tërësisht bashkëpunimin rus nga ISS.

Ndërkohë, lidhur me marrëveshjen NASA tha në një deklaratë se ndarja e udhëtimit me Rusinë, ishte thelbësore për të siguruar "operacione të vazhdueshme të sigurta" të ISS. Pasi që, nëse anija kozmike ruse Soyuz ose automjeti SpaceX Creë Dragon do të hasnin probleme dhe do të dilnin jashtë shërbimit, një marrëveshje për shkëmbimin e vendeve do të siguronte që të dy astronautët amerikanë dhe kozmonautët rusë do të kishin ende akses në stacionin hapësinor.

"Stacioni është projektuar që të jetë i ndërvarur dhe mbështetet në kontributet e secilës agjenci hapësinore për të funksionuar. Asnjë agjenci nuk ka aftësinë të funksionojë e pavarur nga të tjerat", thuhet në deklaratën e NASA-s.

Marrëveshje të tilla për ndarjen e udhëtimeve kanë qenë të zakonshme gjatë historisë dy dekadash të ISS. Për shembull, pasi NASA tërhoqi programin Space Shuttle në vitin 2011, astronautët amerikanë duhej të mbështeteshin tërësisht në vendet në anijen kozmike Soyuz për qasje në ISS. Kjo mbështetje kishte përfunduar vetëm pasi Creë Dragon i SpaceX hyri në shërbim në vitin 2020.

Lajme të ngjashme