Votuesit në plazhe - politikanët italianë në dilemë ku ta zhvillojnë fushatën zgjedhore
Kalimi i të gjithë gushtit në bregdet është praktikisht një e drejtë e lindjes italiane.
Por, pas rënies së papritur të qeverisë së Mario Draghit në korrik, Italia po zhvillon zgjedhjet e vjeshtës për herë të parë në më shumë se 100 vjet – duke u lënë politikanëve pak kohë për të bërë pushime plazhi.
Në vend të kësaj, vera italiane po mbizotërohet nga vapa intensive e një fushate zgjedhore, pasi politikanët bëjnë përpjekje të furishme për t'u lidhur me votuesit që ose janë larguar në plazh ose dëshirojnë të largohen.
POLITICO shkruan se për Italinë e cila po përballet me një perspektivë të pasigurt ekonomike mes shqetësimeve të tregut se çfarë drejtimi do të marrë vendi pa Draghin në krye, ka shumë rreziqe.
Javën e kaluar, krahas lojërave në plazhe, pushuesit në Rivierën Versilian në Toskanë ishin duke parë gazetat për të ndjekur kthesat më të fundit në telenovelën politike.
"Kam përshtypjen se njerëzit po flasin për politikë këtë verë," tha Carlo Tatini, një agjent i pasurive të patundshme dhe anëtar i partisë "Vëllezërit e Italisë", e cila aktualisht është më e popullarizuara në sondazhet e opinionit.
Por strategët e zgjedhjeve përballen me një dilemë delikate.
Ndërsa ata janë të dëshpëruar për të dërguar mesazhet e tyre dhe për të gjetur votues kudo që të jenë, jo të gjithë do ta vlerësojnë një kandidat që papritmas u shfaqet për të bllokuar diellin e tyre. Ndoshta më keq, pamjet televizive të liderëve politikë që kënaqen në plazh mund të largojnë ata votues që mund të kenë mbetur të mbërthyer në vapën e madhe të qytetit.

Giorgia Meloni, liderja e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”, e cila është gati të bëhet kryeministrja e parë femër e vendit, nuk mund të përballojë të bëjë gabime. Kjo është pjesërisht arsyeja pse ajo vendosi të qëndrojë larg shezlloneve kur vizitoi bregdetin në një ndalesë fushate në Versilia javën e kaluar.
Ndërsa në Toscana që ka qenë prej kohësh një bastion i së majtës, ka shenja që tani terren po fiton e djathta. Partitë e krahut të djathtë në zgjedhjet rajonale të 2020 morrën morën 40 për qind, kundrejt 48 për qind që morrën partitë e majta.
Në këtë vend, dukej se shumë të pranishëm ishin mbështetës të konfirmuar të Melonit.
Megjithatë, një verë e nxehtë, me 40 gradë në javët e fundit nuk po e bën biznesin e fushatës më të këndshëm për votuesit apo politikanët. Kur Meloni nisi fushatën ishte ende 33 gradë. E veshur me rroba të bardha, të përshtatshme për plazhin dhe sandale ajo dukej e tronditur, por prapë krahu i djathtë falë një aleance të gjatë po shfaqet më mirë.
Ndërkohë që, qendra e majtë është në rrëmujë pasi një lidhje midis demokratëve dhe një partie të vogël centriste, Azione, u shemb një javë pasi u formua.

Edhe pse, qeveritë dhe investitorët e huaj kanë frikë se një administratë e ekstremit të djathtë do të minonte angazhimet ndërkombëtare të Italisë, për Melonin dhe mbështetësit e saj frika të tilla janë "surreale".
Ajo ka hedhur poshtë të gjitha paralajmërimet nga kritikët.
45-vjeçarja Meloni është tashmë në pozitë të mirë për të drejtuar qeverinë e ardhshme. Me 24 për qind në sondazhe, një fushatë e shkurtër mund edhe t’i shërbejë asaj.
Vera e rrjeteve sociale
Lorenzo Pregliasco i agjencisë së sondazheve You Trend tha se fushata për këto zgjedhje do të fokusohet domosdoshmërisht në internet, përpara disa javësh intensive në prag të votimit të 25 shtatorit.
“Partitë ndoshta do të rrisin angazhimin e tyre në mediat sociale, sepse është e vështirë të organizohen ngjarje personalisht dhe pak njerëz po shohin TV,” tha ai.
Përveç vapës dhe festave, shumë votues janë të lodhur nga ngjarjet në skenën kombëtare dhe globale.
Por, nga ana e saj, Meloni duket e gatshme për sfidën. “Për shkak se jam një grua e së djathtës, kam ardhur në politikë e re dhe jam shtatshkurtër – gjithë karrierën time më kanë nënvlerësuar”, tha ajo para turmës në një kopsht buzë detit. E përfundoi duke thënë se "tani është një avantazh”.

