Pashiniani s’e përmend Karabakun Ditën e Pavarësisë: Armenisë i duhet paqja
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, tha para bashkëvendësve të tij të enjten se vendi ka nevojë që të jetë pa konflikte për hir të pavarësisë, pasi armenët etnikë në enklavën e Nagorno-Karabakut u dorëzuan këtë javë para forcave azere.
Rënia e Karabakut, rajon që separatistët armenë e kishin nën kontroll për tri dekada me mbështetjen e Armenisë, ka nxitur thirrje për dorëheqjen e Pashinianit, raporton agjencia “Reuters”.
“Sot po jetojmë në kohëra të vështira, duke pësuar vuajtje të patregueshme fizike e psikologjike”- tha kryeministri armen në një adresim televiziv me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë, gjatë të cilit nuk e përmendi ndonjëherë drejtpërdrejt Nagorno-Karabakun.
Sipas Pashinianit, Armenia ka përfituar nga demokracia, sundimi i ligjit dhe nga politika parimore kundër korrupsionit, por se vendi gjithashtu ka nevojë për paqe.
“Paqja është një faktor që garanton sigurinë si dhe pavarësinë e sovranitetin”- shtoi ai.
“(Armenia) duhet ta marrë këtë rrugë për hir të pavarësisë, për hir të shtetësisë, për hir të së ardhmes”- tha më tutje kryeministri armen.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha të mërkurën se e çmon faktin që Armenia – e cila kishte pak opsione – nuk është përpjekur që të ndërhynte në ofensivën e forcave azere. Sipas Aliyevit, kjo do të largojë një pengesë për bisedimet më të gjera të paqes mes dy vendeve.
Më 2020, Pashiniani ishte në udhëheqje të shtetit gjatë luftës disajavore, gjatë të cilës Azerbajxhani kishte marrë nën kontroll territor të konsiderueshëm që më parë kontrollohej nga separatistët, duke e përgatitur terrenin për marrjen e tërë rajonit këtë javë.
Sidoqoftë, Pashiniani i kishte fituar zgjedhjet në Armeni disa muaj pas përfundimit të luftës.
