Mbi 60 mijë kanadezë e nënshkruajnë peticionin për dëbimin e ambasadorit amerikan - NACIONALE

Mbi 60 mijë kanadezë e nënshkruajnë peticionin për dëbimin e ambasadorit amerikan

51 minuta më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 60 mijë kanadezë kanë nënshkruar një peticion me të cilin bëhet thirrje që ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Otavë, Pete Hoekstra, për minimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje.

Në peticionin e hapur në internet, diplomati amerikan akuzohet se “ka bërë ndërhyrje të përsëritura në diskursin politik kanadez” dhe “i ka normalizuar kërcënimet e administratës së Trumpit për ta aneksuar Kanadanë si shtet të 51-të” të Shteteve të Bashkuara, raporton televizioni BBC.

Në një deklaratë për televizionin BBC, Ambasada e ShBA-së në Otavë tha se është e vetëdijshme për këtë peticion, por refuzoi që të komentonte më tej.

Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara tani për tani janë të përfshira në një periudhë intensive të bisedimeve tregtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje para se të hyjnë në fuqi taksat e reja amerikane të mërkurën e ardhshme.

Peticioni, i cili është hapur nga një grua në Calgary, gjithashtu ngre shqetësime për takimet në Uashington mes zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të ShBA-së dhe disa përfaqësuesve të provincës kanadezë, Alberta, të cilët duan që ajo të ndahet nga Kanadaja.

Me këtë peticion kërkohet që ambasadori Hoekstra të largohet formalisht nga posti i tij dhe që një komision parlamentar ta shqyrtojë “ndërhyrjen diplomatike të ShBA-së në punët e brendshme kanadeze”.

Duke qenë anëtar i Partisë Republikane dhe aleat i Trumpit, Hoekstra ka qenë mbrojtës i rreptë i politikave tregtare të presidentit amerikan, duke thënë se ato e kanë për qëllim garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së amerikanëve.

Ambasadori amerikan është kritikuar për ripostimin e komenteve të Trumpit rreth bërjes së Kanadasë shtet i 51-të i ShBA-së dhe për deklaratën për gazetarëve se një gjë e tillë do të ishe “diskutim i mrekullueshëm për t’u pasur” nga udhëheqësit e dy vendeve.

Ai gjithashtu e ka përshkruar një pjesë të retorikës politike në Kanada si “antiamerikane” dhe shpesh e ka shprehur zemërimin me vendimin e shumicës së provincave kanadeze për t’i larguar produktet alkoolike amerikane nga raftet e dyqaneve – pikë kyçe e mospajtimeve në bisedimet tregtare aktuale.

Peticioni për largimin e ambasadorit amerikan do të paraqitet në Kuvendin e Kanadasë më vonë këtë vit nga kryetarja e Partisë së Gjelbër, Elizabeth May./Nacionale

Lajme të ngjashme