Azerbajxhani e shpall kontrollin e plotë në Nagorno-Karabak, armenët shkojnë për bisedime
Azerbajxhani të mërkurën e shpalli kontrollin e plotë në enklavën e Nagorno-Karabakut, pasi forcat lokale armene atje u pajtuan për t’i ulur armët pas operacionit ushtarak të forcave azere.
Autoritetet në rajonin me shumicë armene, që e udhëheqin zonën pa njohje ndërkombëtare që nga fillimi i luftimeve në vitet e nëntëdhjeta, deklaruan të mërkurën se forcat lokale do të çarmatosen sipas një marrëveshjeje për armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, raporton agjencia “Associated Press”.
Ato thanë, gjithashtu, se përfaqësues të rajonit do t’i fillojnë të enjten bisedimet me Bakunë për “riintegrimin” e Nagorno-Karabakut në Azerbajxhan.
Presidenti azer, Ilham Aliyev, u mburr për fitore në një adresim televiziv para popullit, duke thënë: “Për vetëm një ditë, Azerbajxhani i përmbushi të gjitha detyrat e caktuara si pjesë e masave lokale anti-terroriste” dhe “e rivendosi sovranitetin e tij”.
“Pas dorëzimit të qeverisë ushtarake kriminale, ky burim i tensionit, kjo çerdhe e helmit, tashmë është çuar në histori”- shtoi ai.
“Popullsia armene e Karabakut më në fund mund të marrë frymë lehtësimi. E kam thënë këtë më parë dhe dua që ta përsërit: popullsia armene e Karabakut janë qytetarë tanë”- tha presidenti azer.
Të martën, ushtria azere nisi një sulm me artileri e dronë kundër forcave armene me numër më të vogël e me furnizime më të pakta. Këto forca ishin dobësuar nga bllokimi i rajonit malor, që komuniteti ndërkombëtar e njeh si pjesë të Azerbajxhanit.
Azerbajxhnai tha të enjten se një delegacion i armenëve të Nagorno-Karabakut arritën në Yevlakh të Azerbajxhanit.