Dorëzohen armenët, e pranojnë armëpushimin e propozuar nga Rusia: S’patëm tjetër zgjidhje - NACIONALE

Dorëzohen armenët, e pranojnë armëpushimin e propozuar nga Rusia: S’patëm tjetër zgjidhje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Armenët etnikë në rajonin e Nagorno-Karabakut janë pajtuar me një propozim rus për armëpushim të mërkurën, 24 orë pas fillimit të ofensivës së forcave azere për ta marrë nën kontroll enklavën e kontestuar.

Forcat separatiste armene në Karabak thanë se forcat azere i kishin thyer linjat e tyre dhe se kishin marrë nën kontroll një numër pikash të larta dhe lidhjesh strategjike rrugore, përderisa bota shikonte e nuk bënte asgjë, raporton agjencia “Reuters”.

E ashtu-quajtura “Republikë e Artsakut” tha se në rrethana të tilla, nuk kishte zgjidhje tjetër pos t’i ndërpriste luftimet nga ora 13 të mërkurën sipas kohës lokale.

“Autoritetet e Republikës së Artsakut e pranojnë propozimin e komandës së kontingjentit të paqeruajtësve rusë për armëpushim”- thuhet në njoftim.

“Me ndërmjetësimin e komandës së kontingjentit të paqeruajtësve rusë, të vendosur në Nagorno-Karabak, një marrëveshje u arrit për ndërprerjen e plotë të armiqësive nga ora 13 më 20 shtator 2023”- thuhet më tej në deklaratë.

Azerbajxhani konfirmoi se është arritur një marrëveshje armëpushimi, duke thënë se paqeruajtësit rusë i përcollën një apel të armenëve për armëpushim. Kushtet e armëpushimit nuk u publikuan menjëherë.

Lajme të ngjashme