Azerbajxhani e vazhdon operacionin në Nagorno-Karabak për ditën e dytë rresht
Azerbajxhani ka thënë se masat e tij ushtarake në Nagorno-Karabak janë duke vazhduar për ditën e dytë rresht, pas nisjes së atyre që i ka përshkruar si operacione “anti-terroriste” në atë zonë të martën.
Autoritetet azere kanë thënë se nuk do të ndalen derisa separatistët të dorëzohen. Azerbajxhani dhe Armenia për herë të fundit zhvilluan një luftë para tre vjetëve, raporton televizioni BBC.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se ishin “neutralizuar” pajisje ushtarake që u përkisnin forcave të armatosura armene, përfshirë automjete ushtarake, artileri dhe instalacione për raketa kundërajrore.
Të martën, Azerbajxhani u dha urdhër “formacioneve ilegale ushtarake armene” që t’i dorëzonin armët dhe ta shpërbënin “regjimin ilegal” të tyre.
Armenët etnikë në Karabak të martën bënë thirrje për armëpushim dhe për nisje të bisedimeve. Megjithatë, nga ultimatumi i Azerbajxhanit qe e qartë se qëllimi i Bakusë është që ta kompletojë marrjen nën kontroll të enklavës malore.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e akuzoi Azerbajxhanin për nisjen e një operacioni tokësor që për qëllim e ka “spastrimin etnik”.
Megjithatë, qindra protestues armenë, të zemëruar me kundërpërgjigjen e vendit të tyre, u përleshën me policinë para Kuvendit të Armenisë në Yerevan, duke e cilësuar udhëheqësin e tyre si tradhtar dhe duke bërë thirrje për dorëheqjen e tij.
Azerbajxhani ka thënë se bisedimet mund të fillojnë në qytezën Yevlakh, rreth 100 kilometra në veri të kryeqytetit rajonal të Karabakut, Khankendi, të cilin armenët etnikë e quajnë Stepanakert.
Vlerësohet se rreth 120 mijë armenë etnikë jetojnë në këtë enklavë. Nga fundi i vitit 2020, tre mijë trupa paqeruajtëse ruse e kanë vëzhguar zbatimin e armëpushimit të brishtë, por vëmendja e Moskës është penguar nga lufta e saj në Ukrainë.
Rusia ka thënë se ka larguar gati 500 civilë nga zonat më të rrezikuara, ndërsa separatistët kanë thënë se kanë dhënë ndihmë për zhvendosjen e gjithsej shtatë mijë civilëve.