Në Ditën e Marinës, Putin thotë se Shtetet e Bashkuara janë kërcënimi kryesor për Rusinë
Presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar të dielën një doktrinë të re detare, e cila i cilëson Shtetet e Bashkuara si rivalin kryesor të Rusisë dhe përcakton ambiciet globale detare të Rusisë për zona si Arktiku dhe Deti i Zi.
Duke folur në Ditën e Marinës së Rusisë në ish-kryeqytetin perandorak të Shën Petersburgut të themeluar nga Car Pjetri i Madh, Putin vlerësoi Pjetrin për bërjen e Rusisë një fuqi të madhe detare dhe rritjen e pozitës globale të shtetit rus.
Sipas Reuters, pas inspektimit të marinës, Putin mbajti një fjalim të shkurtër në të cilin ai premtoi se ato që ai shpalli si raketat unike të lundrimit hipersonik të Rusisë Zircon kanë ndikimin ushtarak për të mposhtur çdo agresor të mundshëm.
Pak para fjalimit, ai poashtu nënshkroi një doktrinë të re detare prej 55 faqesh, e cila përcakton synimet e gjera strategjike të marinës ruse, duke përfshirë ambiciet e saj si një "fuqi e madhe detare" që shtrihet në të gjithë botën.
Sipas doktrinës, kërcënimi kryesor për Rusinë, është "politika strategjike e ShBA-së për të dominuar oqeanet e botës" dhe lëvizja e aleancës ushtarake të NATO-s më afër kufijve të Rusisë.
Më tej, doktrina thotë se Rusia mund të përdorë forcën e saj ushtarake në mënyrë të përshtatshme për situatën në oqeanet e botës, nëse shteren fuqitë e tjera të buta, si mjetet diplomatike dhe ekonomike.
Kjo doktrinë, megjithatë në prioritet kishte bashkëpunimin strategjik dhe detar me Indinë, si dhe bashkëpunimin më të gjerë me Iranin, Irakun, Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera në rajon.
“E udhëhequr nga kjo doktrinë, Federata Ruse do të mbrojë me vendosmëri interesat e saj kombëtare në oqeanet e botës dhe të pasurit fuqi të mjaftueshme detare do të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e tyre”, thuhej në dokument.
Fjalimi i Putinit nuk përmendi konfliktin në Ukrainë, por doktrina ushtarake parashikonte edhe një "forcim gjithëpërfshirës të pozitës gjeopolitike të Rusisë" në Detin e Zi dhe Azov.
Kujtojmë se gjatë pesë muajve të konfliktit me Ukrainën, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit kanë pësuar tendosje të thellë.
Doktrina e nënshkruar nga Putin, gjithashtu e përcaktonte Oqeanin Arktik, të cilin Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se Rusia po përpiqet ta militarizojë, si një zonë me rëndësi të veçantë për Rusinë.