Sulm me raketa ruse në Kharkiv, pamje nga shkatërrimi i ndërtesave - NACIONALE

Sulm me raketa ruse në Kharkiv, pamje nga shkatërrimi i ndërtesave

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Në mëngjesin e 31 korrikut, Rusia ka nisur edhe një sulm me raketa në qytetin e Kharkiv.

Bëhet e ditur se nga sulmi është shkatërruar një ndërtesë e madhe prodhimi, ndërsa në pamjet e publikuara shihen përpjekjet e zjarrfikësve për të shuar zjarrin e madh të shkaktuar nga sulmi.

Sulmi vjen pas pretendimit të ShBA-së se në luftën e Ukrainës janë vrarë ose plagosur 75,000 ushtarë rusë.

Më parë zyrtarët perëndimorë kanë vlerësuar se Rusia kishte nisur në luftë rreth 150,000 trupa, e me pretendimet e fundit nga ShBA besohet se gjysma e tyre tanimë janë viktima të luftës.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se në luftë janë vrarë të paktën 40,000 rusë me dhjetëra-mijëra të tjerë të plagosur.

Rusia ende refuzon zbulimin e numrit të saktë të ushtarëve të saj të vrarë, në atë që e quan “operacion special ushtarak”.

Javën e kaluar, drejtori i CIA-s vlerësoi se 60,000 ushtarë rusë kishin vdekur ose ishin plagosur, ndërsa disa besojnë se numri më saktë është rreth 80,000.

Shifra e fundit duket se është në përputhje me një vlerësim rus, në të cilin thuhej se më shumë se 56,500 ushtarë, roje kombëtare dhe luftëtarë të kompanive private ushtarake janë vrarë.

Të dhënat e fundit, janë lëshuar nga administrata e Biden për ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve. Në listën e prezantuar poashtu u përmendën emra të kolonelëve rusë të vrarë në Ukrainë, duke e çuar numrin në 93.

Lajme të ngjashme