Manjati ukrainas i grurit vritet nga Rusia
Një prej biznesmenëve më të pasur të Ukrainës është vrarë me gruan e tij gjatë bombardimeve masive të Rusisë në qytetin jugor të Mykolaivit.
Oleksiy Vadatursky, 74 vjeçar, dhe gruaja e tij Raisa kanë vdekur kur një raketë e goditi shtëpinë e tyre gjatë natës, kanë thënë mediat ukrainase.
Z. Vadatursky ishte pronar i kompanisë Nibulon, një grup i përfshirë në eksportet e drithërave. Po ashtu, ai kishte marrë edhe çmimin “Hero i Ukrainës”.
Kryetari i qytetit të Mykolaivit, Oleksandër Senkevych, tha se ky ishte bombardimi më i rëndë nga forcat ruse në këtë qytet.
Mykolaivi është në rrugën kryesore për në Odeas, portin kryesor të Ukrainës, dhe i cili është goditur vazhdimisht prej fillimit të luftës e tekëndej.
Lideri i rajonit, Vitaliy Kim, tha që z. Vadatursky “kishte bërë shumë për Mykolaivin, e shumë për Ukrainën”.
“Kontributi i tij për zhvillimin e agrikulturës dhe industrisë së ndërtimit të anijeve, për zhvillimin e rajonit, është i paçmim,” - ishte shprehur ai.
Nibuloni ka ndërtuar shumë depo dhe pjesë tjera infrastrukturore për eksportimin e drithërave. Ukraina dhe Rusia janë eksportues të mëdhenj të grurit dhe të tjera drithërave, dhe ndalja e eksporteve e shkaktuar nga lufta i ka ngritur çmimet në mbarë botën.

Të dy vendet kanë nënshkruar marrëveshjen e sponsorizuar nga OKB-ja gjatë javës së kaluar në Turqi, dhe e cila kishte për synim të zbuste krizën me ushqime. Por, dërgesat ukrainase pritet të bëhen ngadalë për shkak të kontrolleve të shtuara të sigurisë.
Ukraina ka akuzuar forcat ruse se kanë vjedhur dridhëra nga bujqit në territoret e okupuara, dhe të cilat i ka eksportuar më pas përmes Krimesë. Rusia i ka mohuar këto pretendime.
Ndërkohë që Rusia i ka anuluar festimet për Ditën e Marinës në Krimenë e okupuar.
Arsyeja e dhënë nga guvernatori i Sevastopolit është një sulm me dron nga Ukraina ndaj selisë së Flotës Detare të Detit të Zi.
Por, një zyrtar i lartë ukrainas me emrin Serhiy Bratchuk, ka mohuar këto raporte të Rusisë si “provokim”.
“Çlirimi i Krimesë tonë do të ndodh ndryshe dhe me më shumë efikasitet,” – u shpreh ai.
Dita e Flotës Ushtarake Detare është një festë e përvitshme në Rusi, dhe këto festime po ndodhin në mbarë Rusinë gjatë ditës së sotme.