Kursim i energjisë, kryeministri spanjoll kërkon nga punëtorët të mos mbajnë kravata në punë - NACIONALE

Kursim i energjisë, kryeministri spanjoll kërkon nga punëtorët të mos mbajnë kravata në punë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u ka bërë thirrje punëtorëve në sektorin publik dhe privat që të mos mbajnë kravata, si një masë e kursimit të energjisë në valën e së nxehtit që ka pushtuar vendin.

Ndërsa vendet evropiane janë në përpjekje për t’u bërë më pak të varuara nga gazi rus, Sanchez tha se qeveria e tij do të miratojë masa "urgjente" të kursimit të energjisë ditën e hënë.

E në një konferencë shtypi të mbajtur në Madrid, Sanchez vuri në dukje se ai nuk kishte veshur kravatë - dhe tha se donte që ministrat e tij, zyrtarët publikë dhe punëtorët në sektorin privat të bënin të njëjtën gjë.

“Kjo do të thotë se ne të gjithë mund të kursejmë energji”, tha ai, duke shtuar se kjo gjë do të bëjë që njerëzit të qëndrojnë më të freskët dhe për rrjedhojë do të ulen kostot e energjisë, pasi kondicionerët do të përdoren rrallë.

Spanja nuk është vendi i parë që ka ndërmarrë një veprim të tillë, pasi edhe në vitin 2011, Japonia prezantoi një fushatë të ngjashme me anë të së cilës inkurajoheshin punonjësit e zyrave të veshnin rroba më të freskëta gjatë verës.

Masa të ngjashme janë parë të merren edhe në Mbretërinë e Bashkuar kohët e fundit, ku politikanëve u është thënë se mund të mos mbajnë të veshura xhaketat e kostumeve ndërsa janë në parlament.

Temperaturat jashtëzakonisht të larta gjatë dy javëve të fundit kanë bërë që qeveritë në mbarë botën të rishqyrtojnë përdorimin e tyre të energjisë - nga një këndvështrim mjedisor dhe i kursimit të kostos.

E ndërkohë që valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit, gjatë dy javëve të fundit në Spanjë kanë humbur jetën mbi 500 persona.

Ekspertët thonë se që nga fillimi i epokës industriale bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.

Lajme të ngjashme